Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, por Shqipëria rrezikohet nga analfabetizmi

Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, në përkujtim të Kongresit të Manastirit, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908.

Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore, duke i propozuar Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Dita e Alfabetit Shqip u miratua nga Kuvendi në shkurt të këtij viti dhe kjo është hera e parë që kremtohet si festë zyrtare. Iniciativa u mor edhe pas diskutimeve në samitin e diasporës.

Në Kongresin e Manastirit morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Në Manastir morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet. Kryetar i kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e vetme në këtë kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është festë kombëtare. Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.

22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, është festë zyrtare.
“22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve që janë shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuara në të gjitha fetë monoteiste, por ajo që i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen në këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë me alfabetin latin”, tha Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme në fillim të vitit 2024, kur u propozua që kjo datë të bëhej festë zyrtare.

116 vite pas Kongresit të Alfabetit, që ishte një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, që sot njihet si “Kongresi i Manastirit”, Shqipëria po bën hapa pas, duke rrezikuar rritjen e analfabetizimit në vend.

Të dhënat e Bankës Botërore, tregojnë se jo vetëm që numri i të regjistruarve në shkollat fillore po bie ndjeshëm, por ai është dhe ndër më të ulëtit në Europë. Në vitin 2023, Norma bruto e regjistrimit në shkollën fillore në Shqipëri zbriti në 93.7%, nga 105.4% që kishte qenë në vitin 2017, duke shënuar një rënie të fortë pas pandemisë.

Kjo do të thotë që të regjistruarit në shkollë fillore (pavarësisht moshës) ishin sa gati 94% e popullsisë 6-12 vjeç. Ky është niveli më i ulët rekord, që nga viti 1976, kur banka Botërore raporton të dhënat./Monitor/

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top