“Kampi i internimit të emigrantëve në Shqipëri: Meloni deportohet sërish”. Ky është titulli i gazetës austriake “Der Standard” i ka kushtuar vëmendje vendimit të gjykatës së Romës që urdhëroi largimin e 7 emigrantëve që mbaheshin në kampin e Gjadrit. “Gjykatat italiane nuk bëjnë hap pas: Nuk ka asnjë bazë ligjore evropiane për qendrat e dëbimit ekstra-territorial të Italisë. Edhe një herë, urdhërohet transferimi i menjëhershëm i emigrantëve drejt Italisë” – thuhet në shkrimin që lapsi.al e sjell më poshtë të plotë.
Qëllimi i deklaruar i qeverisë së djathtë të Giorgia Melonit që në fillim ishte që emigrantët të qëndronin në qendrat e dëbimit në Shqipëri për maksimumi 30 ditë dhe më pas do të dëboheshin në mënyrë të përshpejtuar. Megjithatë, në praktikë, kufiri kohor është tejkaluar qartazi. Grupi i parë prej 12 emigrantësh u largua nga kampi pas vetëm 4 ditësh. Grupi i dytë prej 7 refugjatësh, të cilët mbërritën në Shqipëri të shtunën e kaluar, pritet të largohen nga qendra e diskutueshme të martën ose të mërkurën më së voni. Ndryshe nga synimet e qeverisë, emigrantët nuk po “dërgohen në shtëpi”, por në Itali, ku duhet të lirohen menjëherë.
Kjo u urdhërua nga gjykata e Romës, përgjegjëse për emigrantët, e cila kishte marrë tashmë një vendim më parë edhe për grupin e parë të emigrantëve. Në të dyja rastet, azilkërkuesit vinin nga Egjipti dhe Bangladeshi. Gjyqtarët e bazuan vendimin e tyre në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED), e cila vendosi më 4 tetor se vendet e origjinës mund të konsiderohen “të sigurta” vetëm nëse janë të tilla në të gjithë territorin e tyre.
Dhe ky nuk ishte rasti me Egjiptin apo Bangladeshin, theksoi gjykata. Prandaj, emigrantët nuk mund të deportohen, për këtë arsye ata do të duhej të transferoheshin në Itali dhe të liroheshin. Shqipëria nuk është e përgatitur të pranojë azilkërkues nga vetë kampet italiane.
Humbje politike
Vendimi i gjykatës është një pengesë serioze politike për kryeministren Giorgia Meloni, për më tepër që vendimi nuk ishte befasi. Vendimet e Gjykatës Europiane të Drejtësisë janë thelbësisht superiore ndaj ligjit kombëtar. Por qeveria në Romë t’i binte “murit me kokë” dhe pas vendimit të parë negativ të gjykatës në tetor, miratoi me nxitim një ligj emergjence që e ngriti shpejt listën ekzistuese të vendeve të sigurta të origjinës në statusin e një ligji që gjykatat mund të ndiqnim. Qeveria kishte bërë gjithashtu një apelim kundër vendimit të gjykatës së Romës në Gjykatën e Kasacionit, gjykatën më të lartë të Italisë.
Gjykata e Kasacionit pritet të vendosë për këtë çështje në fillim të dhjetorit. Edhe GJED do të merret gjithashtu me kampet italiane në Shqipëri në 2-3 muajt e ardhshëm, sepse një gjykatë në Bolonja ka përcjellë ankesën e një emigranti tek gjyqtarët në Luksemburg, menjëherë pas nxjerrjes së dekretit për vendet e sigurta të origjinës. Ajo kërkon të sqarohet nëse ligji europian apo ai italian duhet të zbatohet për çështjet e vendeve të sigurta të origjinës.
Pas largimit të grupit të dytë të emigrantëve, pritet që qeveria e djathtë e Giorgia Melonit të mos insistojë më dhe të mos dërgojë më emigrantë në Shqipëri derisa Gjykata e Kasacionit e Italisë dhe GJED të trajtojnë çështjen.
Mbrojtja policore
Fillimisht nuk pati reagime politike për vendimin e gjykatës së Romës, i cili u mor të hënën në mbrëmje. Vendimi i parë në tetor çoi në një konflikt të rëndë midis përfaqësuesve të qeverisë dhe gjyqësorit. Në veçanti, zëvendëskryeministri dhe udhëheqësi i Legas, Matteo Salvini i përshkroi gjyqtarët si “komunistë” që bojkotonin vendimet e qeverisë demokratike në një mënyrë subversive.
Gjyqtarja romake Silvia Albano, e cila dha vendimin e parë në tetor, më pas duhej të vihej nën mbrojtjen e policisë. “Unë jam zgjedhur si kokë turku nga qeveria, por nuk kisha ndërmend të përballesha me vendimin. Gjykata veproi në përputhje me kushtetutën dhe zbatoi ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare”, – theksoi Albano.