E gjithë Portugalia duartroket gjestin e Pepê, sulmuesit brazilian të Portos, i cili të dielën ndaloi përpara portës pas një kundërsulmi të shpejtë, kur kuptoi që mbrojtësi i Estoril, i cili po vraponte me të drejt topit, ishte rrëzuar në tokë për shkak të një dëmtimi muskulor. Një gjest i bukur i fair-play, që kujton shumë atë të Paolo Di Canio në ndeshjen Everton-West Ham më 16 dhjetor 2020: në atë rast, sulmuesi italian kapi topin me duar brenda zonës së rreptësisë, duke ndalur lojën pasi pa dëmtimin e portierit kundërshtar.
Ky është sporti në shprehjen e tij më të lartë, njerëzillëku më i pastër që çan rrugën në mes të obsesionit për të fituar me çdo kusht: Pepê nuk mendoi shumë, gjesti i tij ishte i natyrshëm. Kundërshtarët e vlerësuan pastërtinë e tij dhe e përqafuan, ndërsa publiku e duartrokiti.
Pepê ndaloi para portës me kundërshtarin përtokë
Porto ishte angazhuar të dielën në mbrëmje në Estadio do Dragão kundër Estorilit, një ndeshje e rëndësishme për të ruajtur diferencën prej tre pikësh nga Benfica kryesuese, që të shtunën kishte fituar në fushën e Farenzës. Në mes të pjesës së parë, me rezultatin 1-0 për vendasit, ndodhi një kundërsulm i shpejtë i nisur nga një pasim i gjatë dhe i saktë i portierit të Portos, Diogo Costa. Pepê vrapoi në të majtë drejt portës së Estorilit, ndërsa Pedro Amaral po përpiqej ta ndalonte, duke shkuar shpatull për shpatull. Mbrojtësi mysafir bëri edhe disa hapa të tjerë, pastaj preku muskujt dhe u rrëzua përtokë. Në atë moment, Pepê – megjithëse në kënd të vështirë – kishte përpara portën, por ndaloi pothuajse menjëherë pasi kuptoi se çfarë kishte ndodhur me kundërshtarin e tij.
Pepê, ex-jogador do Grêmio, atualmente no Porto, optou por não marcar o gol após um adversário se machucar durante a jogada.
BAITA ATITUDE!
— Fut Brasileirão (@futbrasileirao_) November 3, 2024
Humanizmi para lojës…
Ishte një rast i qartë për të shënuar, por braziliani ish-lojtar i Gremios – tashmë prej tre vitesh tek Porto – ndjeu se gjesti i duhur ishte diçka tjetër: një veprim aq njerëzor sa i bukur, në një sport shpesh të dominuar nga dëshira për të fituar me çdo çmim. Duartrokitjet u ngritën nga shkallët e stadiumit do Dragão, ndërsa lojtarët e Estorilit e falënderuan Pepê-n, duke njohur sportivitetin e tij, dhe gjithashtu duartrokiti edhe trajneri i Portos, Vitor Bruno.
Dëmtimi i Pedro Amaral rezultoi mjaft i rëndë: mbrojtësi i majtë portugez 27-vjeçar u largua nga fusha me vështirësi, duke detyruar trajnerin e Estorilit ta zëvendësonte. Ndeshja më pas u fitua nga Porto me rezultatin 4-0: tani tabela tregon Benficën të parën me 30 pikë, e ndjekur nga Dragões me 27.