Ndeshja e madhe e javës së dhjetë në Premier League përfundon me barazim 1-1 midis Manchester United dhe Chelsea. Në “Old Trafford”, gjithçka u vendos brenda 4 minutave dramatike: në minutën e 70-të, Bruno Fernandes shënoi për “Djajtë e Kuq” nga penalltia, por vetëm katër minuta më vonë, Chelsea barazoi me golin e Caicedo. Ndërkohë, Tottenham rikthehet tek fitorja me një triumf të thellë 4-1 ndaj Aston Villës së teknikut Emery. Shënues për ekipin londinez ishin Solanke, me një dopietë në minutat 75 dhe 79, si dhe Johnson në minutën e 49-të dhe Maddison në shtesë (96’), të cilët përmbysën golin e avantazhit të Rogers për Aston Villën në minutën e 32-të.
MANCHESTER UNITED-CHELSEA 1-1
Ruud van Nistelrooy debutoi në Premier League si trajner i përkohshëm për United, pas ndeshjes së parë të tij në Carabao Cup kundër Leicester, duke barazuar 1-1 ndaj Chelsea-t, në pritje të ardhjes së trajnerit Amorim. Chelsea e nisi më mirë ndeshjen, me Madueke që goditi shtyllën dhe Colwill që humbi një rast të artë nga afër. Pak çaste para pushimit të pjesës së parë, Rashford gaboi një shans të rëndësishëm duke e dërguar topin mbi traversë, ndërsa Neto humbi gjithashtu nga një pozicion i mirë, pa harruar Caicedo.
Më pas, erdhën 4 minutat vendimtare: Sanchez shkaktoi një penallti, të cilën Bruno Fernandes e ktheu në gol për United. Chelsea nuk vonoi për të reaguar, dhe Caicedo barazoi në minutën e 74-t. Pas kësaj, secila nga skuadrat pati nga një mundësi të mirë shënimi përmes Enzo Fernandez dhe Garnacho, por rezultati mbeti i pandryshuar. Ky barazim e ngjit Chelsea-n në kuotën e 18 pikëve, duke e barazuar me Arsenal dhe Aston Villa në vendin e katërt. Manchester United, ndërkohë, mbetet me 12 pikë, pasi ka fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e fundit në Premier League.
TOTTENHAM-ASTON VILLA 4-1
Tottenham rikthehet te fitorja në Premier League me një triumf të pastër 4-1 ndaj Aston Villës. Ekipi i drejtuar nga Postecoglou e nisi lojën fuqishëm, duke dominuar dhe diktuar ritmin. Me kalimin e minutave, Spurs filluan të krijojnë më shumë raste, por rrezikuan në minutën e 30-të kur Villans goditën shtyllën përmes një goditjeje me kokë të Onanës nga këndi. Vetëm dy minuta më vonë, në minutën e 32-të, Aston Villa kaloi në avantazh përmes golit të Rogers, që befasoi portierin Vicario. Tottenham tentoi menjëherë të barazonte, por pjesa e parë përfundoi me epërsinë e Aston Villës.
Në fillim të pjesës së dytë, Tottenham gjeti golin e barazimit në minutën e 49-të me Brennan Johnson, i cili shënoi për 1-1. Me moral të lartë, Spurs vazhduan të sulmonin dhe përmbysën rezultatin në minutën e 75-të me një gol të Solanke-s, pas një asisti të Kulusevskit. Vetëm katër minuta më vonë, Solanke shënoi përsëri pas një pasimi nga Richarlison, duke vulosur fitoren. Në minutën e fundit të kohës shtesë, Maddison realizoi golin e katërt, duke e mbyllur sfidën në 4-1 për Tottenham, që tani ngjitet në kuotën e 16 pikëve, vetëm dy më pak se Aston Villa me 18.