Egnatia ka arritur të dalë nga kriza e rezultateve pas një periudhe trejavore pa fitore, duke mundur 1-0 Tiranën. Goli i shënuar nga Edison Ndreca ka siguruar një triumf të rëndësishëm pikërisht kundër bardhebluve, skuadër të cilën nuk e kishte mundur kurrë më parë në fushën e saj. Kjo fitore e thellon edhe më tej Tiranën në krizën për mbijetesë në Kategorinë Superiore.
Rrogozhinasit siguruan një fitore minimale 1-0 kundër Tiranës, duke marrë 3 pikë të vlefshme për ecurinë e sezonit. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Edison Ndreca në minutën e 40′, duke i dhënë avantazhin Egnatias që në pjesën e parë.
Kampionët në fuqi të Egnatias dominuan totalisht lojën, duke e mbajtur në kontroll mbrojtjen dhe duke shmangur çdo rrezik të mundshëm nga kundërshtarët. Ata vazhduan të kërkojnë hapësira për të rritur epërsinë ndaj portës së Selmanit, por në fund u mjaftuan me golin e vetëm të Ndrecës që rezultoi vendimtar për 3 pikët e takimit.
Kjo fitore e ngre Egnatian në kuotën e 19 pikëve, duke përmirësuar pozitat e saj në renditje, ndërsa Tirana mbetet në krizë. Pas 12 javësh, bardheblutë e Tiranës, që luajnë pa mbështetjen e tifozëve në stadium, kanë grumbulluar vetëm 11 pikë dhe nuk kanë arritur të fitojnë asnjë nga 5 ndeshjet e fundit.