Video/ Malomo nuk mjaftoi për Bylis, Itodo shpëton Dinamon: Daja mbetet i pathyer

Një barazim që nuk i shërben shumë as Dinamos dhe as Bylisit, të cilat ndanë nga një pikë në “Elbasan Arena”, me keqardhjen se të dyja skuadrat patën raste për të marrë fitoren e plotë. Rezultati përfundoi 1-1, ku Itodo Mandela barazoi golin e Malomo, duke bërë që Dinamo e Ilir Dajës të mbetet i pathyer për 8 ndeshje që nga marrja e drejtimit të skuadrës kryeqytetase. Nga ana tjetër, Dede regjistroi rezultatin e dytë pozitiv radhazi me Bylisin.

Pas fitores me poker golash ndaj Teutës katër ditë më parë, Bylisi hyri me vetëbesim të lartë dhe synoi të dominojë që në fillim të lojës, duke zhvilluar një lojë të guximshme. Malomo rrezikoi portën e Teqjes në minutën e 10-të dhe të 14-të, por përfundimet nuk ishin në nivelin e duhur. Dinamo reagoi me një goditje me kokë nga Zabërgja në minutën e 23-të, por gjuajtja nuk ishte efikase.

Bylisi dukej disi më i organizuar në pjesën e parë dhe arriti të gjente rrjetën në minutën e 27-të me Markun, por VAR-i konfirmoi një pozicion jashtë loje të sinjalizuar nga asistenti, duke e anuluar golin. Një hapësirë e krijuar për Bregun në minutën e 42-të e detyroi portierin e Bylisit të bëjë një pritje vendimtare për të shmangur golin.

MALOMO E MANDELA PROTAGONISTË
Pjesa e dytë nisi me insistimin e Bylisit në sulm. Berko pati një rast përballë portës, por nuk arriti të përfitojë, ndërkohë që Përgjoni goditi shtyllën në minutën e 52-të. Pas disa minutash presioni, Malomo shënoi në minutën e 52-të, duke e kaluar Bylisin në avantazh, me Teqjen që nuk arriti ta ndalonte topin.

Në minutën e 60-të, Malomo goditi sërish, kësaj here duke përplasur topin në kryqëzimin e shtyllave, duke humbur shansin për ta dyfishuar rezultatin. Ky gabim rezultoi i kushtueshëm, pasi vetëm 8 minuta më vonë, Mandela shënoi për Dinamon, duke barazuar rezultatin pas një goditje këndi. Ky ishte goli i tij i gjashtë sezonal, i cili shmangu humbjen e parë për Dajën në krye të Dinamos.

Në minutat e fundit, Bylisi tentoi të merrte fitoren me Berkon, por Teqja e ndali përpjekjen e tij. Dinamo pati dy mundësi të tjera me Maliqin dhe Mandelën, por asnjëra prej tyre nuk u konkretizua, duke e mbyllur ndeshjen me shifrat 1-1.

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top