Paraditen e kësaj të mërkure, në orën 09:30, Ilir Meta do të dalë para gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tij.
Ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u vu në pranga mesditën e së hënës në Tiranë. Ai po kthehej me makinë nga Kosova, ndërsa në hyrje të kryeqytetit, agjentët dhe oficerët e policisë ndërhynë dhe e shoqëruan me dhunë në drejtorinë e policisë së Tiranës dhe prej andej në bllokun e sigurisë. Së bashku me Metën do të dalin para gjykatës edhe Monika Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sot, me datë 22.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit për personat nën hetim Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Piro Xhixho dhe Ema Çoku”.
Bazuar në nenin 248 pika 1 të K.Pr.Penale, seanca gjyqësore për shqyrtimin e kësaj kërkese do të zhvillohet më datë 23.10.2024 ora 09:30”, sipas njoftimit të GJKKO.