Fushatë në dëshpërim/ Si po e humb vrullin Kamala Harris

Kamala Harris nuk është në ritmin për të fituar zgjedhjet presidenciale të Amerikës. Vrulli që dukej se po e shtynte atë drejt Shtëpisë së Bardhë ka rënë. Perspektivat e Donald Trump nuk janë dukur kurrë më të mira. Në të vërtetë, ato vetëm janë përmirësuar.

Harris mund të mbajë një epërsi të lehtë në mesataret kombëtare të sondazheve, por kjo epërsi është mashtruese. Shifrat e saj janë shumë më të këqija se sa ishte Hillary Klinton në 2016 para se të humbiste ndaj Trump. Klinton ishte përpara me më shumë se gjashtë pikë; Harris është më pak se një pikë e gjysmë. Dhe në gjashtë shtetet që kanë më shumë gjasa të vendosin rezultatin e këtij viti, sondazhet flasin për një ngërç, me epërsi për secilin kandidat brenda kufirit të gabimit.

Lexo më tej: Sondazhi i ri: Trump dhe Harris në një garë të ngushtë
Nëse e kaluara është një udhërrëfyes, ai barazim është gjithashtu mashtrues dhe Trump ka një avantazh të qartë. Ai i tejkaloi parashikimet e sondazheve në të dyja garat e tij të mëparshme, madje edhe në ofertën e tij të pasuksesshme për rizgjedhje në 2020.

Zëvendëspresidentja i vari të gjitha shpresat tek përpjekja për t’i bërë votuesit ta shohin atë si një forcë për rinovim dhe ndryshim. Në fillim dukej se po funksiononte. Votuesit u shfaqën të etur për një fytyrë më të re, më pak të njohur në politikën kombëtare. Ajo mund të jetë kolegia e Joe Biden në qeveri, por një zëvendëspresident rrallë zë shumë hapësirë ​​në mendjet e amerikanëve.

Trump, nga ana tjetër, është shumë i njohur. Zgjedhjet presidenciale janë zakonisht një referendum për partinë në pushtet, por një ish-president zakonisht nuk është kandidati që vjen nga kampi tjetër.

Kështu që Harris është përpjekur ta bëjë veten të duket si e huaja në këtë garë. Ajo bën fushatë me slogane si “ktheni faqen” dhe “nuk do të kthehemi prapa”, sikur rekordi i Biden-Harris në detyrë të ishte me të vërtetë një rekord i përbashkët Biden-Trump që shtrihet tetë vjet më parë. Ajo shpreson të premtojë një fillim të ri, nën një udhëheqëse dekada më të re se Biden apo Trump.

Me vetëdije apo jo, Harris ka kopjuar fushatën e Trump të vitit 2016, kur ai e ofroi veten si një alternativë ndaj politikës së rraskapitur të dinastive Bush dhe Klinton.

Lexo më tej: Pikat më pikante të debatit Trump – Harris
Problemi për Harris është se miliona amerikanë kanë kujtime të bukura nga vitet e Trump, përpara se inflacioni të ngjitej si një raketë e Elon Musk dhe të shpërthenin luftërat nga Ukraina në Lindjen e Mesme. Trump dha paqe dhe prosperitet; Biden dhe Harris kanë udhëhequr mbi inflacionin, kaosin në skenën botërore dhe emigracionin e pakontrollueshëm.

Ndërsa votuesit mund të mos i kenë kushtuar vëmendje veprimeve të Harris si zëvendëspresidente, ata e dinë se ajo është partnerja e Biden në të gjitha zhgënjimet dhe dështimet e katër viteve të fundit. Ata gjithashtu e dinë se Biden e quajti atë “caren e tij të kufirit”, një titull lajkatar që është kthyer në mallkim për Harrisin pasi votuesit e konsiderojnë atë përgjegjëse për krizën e emigracionit. Së bashku me inflacionin, ky është shqetësimi kryesor i votuesve.

Harris nuk ka mundur t’i ikë përgjegjësive që ndan me Biden. Dhe ajo nuk ka qenë në gjendje të përfitojë nga mosha e Trump si një çështje e fushatës, sepse ajo ende duhet të mbajë pretendimin se Presidenti është ende i aftë për të shërbyer, kur ai është padyshim në gjendje shumë më të keqe se Trump.

Pasi i ka mbijetuar çdo gjëje, nga dënimet penale deri te tentativat për vrasje, nga çfarë kritike që mund ti vijë nga Harris duhet të frikësohet Trump? Ajo ka provuar çdo argument dhe asnjëri nuk ishte i mjaftueshëm për ta mbajtur atë përpara në sondazhe. Votuesit thjesht nuk e urrejnë Trumpin aq sa për të zgjedhur këdo si President, mjaft që të mos jetë ai. Harris i është dashur të ngrejë një fabul për veten e saj, jo vetëm kundër Trump. Por çfarë ka bëre ajo nuk ka qenë bindëse.

Harris tani po bëhet e dëshpëruar. Asaj i është dashur të përdorë masa që nuk do t’i nevojiteshin një kandidati më të sigurt. Intervista e saj me Fox News me prirje republikane kishte për synim t’i largonte Trumpit këdo që mund të ndjente dëshirën për të dezertuar. Por ajo vetëm theksoi dobësitë e saj tek emigracioni dhe politika e jashtme.

Fushatës së Harrisit i është dashur gjithashtu të bëjë thirrje të sikletshme për të motivuar më shumë elektoratet kryesore të demokratëve, madje duke dërguar Barack Obamën për t’u dhënë leksione burrave zezakë për entuziazmin e tyre të pamjaftueshëm për të. Këto nuk janë lëvizjet e një kandidati të cilit era i fryn në shpinë.

Megjithatë, Harris ka një avantazh që i mungonte Hillary Klintonit: ajo e di se Trump nuk duhet nënvlerësuar. Zgjedhjet e vitit 2016 u përcaktuan nga disa dhjetëra mijëra vota në shtetet e duhura, dhe e njëjta gjë ishte e vërtetë për zgjedhjet e 2020-s. Fushata e Harris ka më shumë para se ajo e Trump. A mund të shpenzojë ajo me mjaftueshëm mençuri për të kundërshtuar arritjet e fundit të Trump?

Edhe Klinton shpenzoi më tepër se Trump dhe prap humbi. Paratë mund të mos jenë në gjendje të blejnë atë që Harris ka nevojë realisht: një publik të gatshëm për të shfrytëzuar një shans për katër vjet të tjera të Kamala Harris dhe demokratëve në qeveri.

The Telegraph, përshtati në shqip ©LAPSI.AL

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top