Në përfundim të tre ndeshjeve të para të javës së nëntë të Superiores, kanë folur edhe trajnerët protagonistë. Brdaric e Tetova kanë patur rezerva për arbitrimin, Moriero ka dhënë një mesazh për një ngjarje të trishtë në Itali, ndërsa Shkëmbi e Martini kapen me fatin e keq.
BRDARIC: “GOLI ISHTE OFFSIDE”
Vllaznia humbi 1-3 në Laç kundër bardhezinjve, që rrëmbyen fitoren e parë në këtë kampionat. Pas ndeshjes trajneri i shkodranëve, Thomas Brdaric, nuk e ka kursyer arbitrin: “Nuk dua të flas për lojtarët që mungojnë, kishim gjithçka në dorë në pjesën e parë. Luajtëm me stilin tonë, shënuam, kishim raste për të dytin. Dhe në fund të pjesës së parë ndodh, për mua goli ishte “offside”, nuk kuptova pse ishte i rregullt – tha Brdaric -. Në pjesë të dytë dëshironim të tregonim të njëjtën fytyrë, pastaj ramë, nuk e prita. Nuk kishim eksperiencën në fushë. Duhet të mësojmë shumë shpejt nga kjo ndeshje”.
SHKËMBI: “FLAKËM NJË PJESË LOJE”
Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi, ka theksuar se është i pakënaqur me faktin që skuadra e tij mori vetëm një barazim përballë Dinamos.
“Patëm momente tona të mira, sidomos në pjesën e dytë. Pjesa e parë nuk është se na kënaqi shumë, e menduam ndryshe pjesën e parë, por disa lojtarë hynë me vonesë në lojë. Në pjesën e dytë reaguam, patëm momente të mira me traversat e momentin e golit, por në futboll duhet të shënosh dhe të mos thuash vetëm fati – tha Shkëmbi -. Por unë vazhdoj të them se nuk është vetëm ndryshimi taktik, në pjesën e parë patëm mosbesim që nuk më pëlqeu te disa lojtarë, disa ishin ndryshe. Disa kishin mosbesim me topin në këmbë, kishim mundësi qarkullimi si në pjesën e dytë. Kur e flak një pjesë loje, është e vështirë të thuash që kemi bërë mirë apo shumë mirë”.
MARTINI: “DUHET TA KISHIM FITUAR NDESHJEN”
Teuta barazoi 0-0 përballë Egnatias në Rrogozhinë. Pas ndeshjes foli trajneri i Teutës, Edi Martini: “Me thënë të drejtën duhet ta fitonim këtë ndeshje. Kemi luajtur shumë herë më mirë pjesën e parë, kishim rastet tona. Pjesën e dytë i kërkova lojtarëve ta interpretonin ndeshjen sikur ishin të barabartë, lëshuam terren, Rrogozhina na vendosi në vështirësi me qarkullimin e topit. Shtuam presionin, goli nuk donte. Duhet me e pa, po të më thonin para ndeshjes a do doje barazim në Rrogozhinë do thoja “ok”, po mënyra si luajtëm në pjesën e parë dhe me një lojtar më shumë në të dytën duhet ta fitonim ndeshjen”.
MORIERO: “I FUTA NË KOKË SE FUTBOLLI ËSHTË SAKRIFICË”
“Fillimisht dua të jap një mesazh për familjet e tre djemve të vdekur në Itali, ultras të një skuadre puljeze. Klubi dhe unë duke qenë italian, i jam pranë këtyre familjeve se sporti është i të gjithëve dhe na vjen keq për ta – e nisi tekniku i ri i Laçit Moriero me një dedikim për 3 të rinjtë italianë të ndarë nga jeta -. Unë kam ardhur prej 4-5 ditësh, jemi munduar të punojmë në anën psikologjike me djemtë. Djemtë kanë punuar mirë këtë javë, i kam thënë që për ne kampionati fillon sot dhe duhej ndryshuar mentaliteti. Jam munduar t’u jap atyre eksperiencën time, që të mundohem t’i fus në kokë që futbolli është sakrificë, përkushtim. Ata kanë bërë gjithçka në perfeksion se nuk ishte e lehtë kundër një skuadre të madhe”.
TETOVA: “NUK MERREM ME ARBITRIMIN”
Edlir Tetova foli në përfundim të barazimit 0-0 mes Egnatias e Teutës. Trajneri i rrogozhinasve tregoi dhe pretendimet për karton të kuq ndaj një prej lojtarëve të Teutës: “Mendoj se për si shkoi ndeshja, ishim më afër golit si me 11 lojtarë ashtu edhe me 10. Duhet të ishim më të kujdesshëm në ato episode dhe duhet të shënonim. Si shkoi ndeshja barazimi i drejtë, por ne ishim më afër golit. Me gjykimin nuk merrem shpesh po rasti i lojtarit të Teutës mendoj i fundit dhe karton i kuq”.