“Ka qenë një lojtar i madh”. “Jam pjesë e Juventus dhe dua të qëndroj këtu”. Këto dy fjali përmbledhin situatën e Paul Pogba dhe bardhezinjve pas reduktimit të dënimit për doping në 18 muaj për francezin. Mesfushori nuk dëshiron të dëgjojë për një ndarje konsensuale përpara marsit, kur do të mund të rikthehet në fushë, ndërkohë që në Torino e kanë bërë të qartë se e ardhmja e tij do të jetë larg ngjyrave bardhezi. Tani mbetet të kuptohet se kush do të dalë fitimtar.
Thiago Motta dhe Giuntoli (por edhe administratori i deleguar Scanavino) nuk duken të interesuar ta kenë mesfushorin në skuadër, pjesërisht për shkak të pagës së tij të lartë prej 10 milionë eurosh, duke përfshirë bonuset, dhe pjesërisht për një projekt teknik që nuk e ka marrë kurrë në konsideratë. Në fakt, drejtuesit bënë mirë që pritën vendimin e CAS përpara se të “liroheshin” nga Pogba, duke shmangur çështje ligjore, por tani ekziston rreziku që të ndodhë një përplasje.
Dy palët kanë filluar të bisedojnë, fillimisht në distancë, tani më intensivisht. Juve dëshiron të arrijë një marrëveshje për ndarjen, ndërsa Pogba thotë se është i gatshëm të ulë edhe pagën për të mbrojtur ngjyrat e skuadrës që e lançoi në futbollin e madh që kur ishte djalosh. Megjithatë, nëse nuk arrihet një marrëveshje, Zonja e Vjetër është gati të përfundojë kontratën, e cila skadon në 2026, në mënyrë të njëanshme duke u bazuar te shkelja e Pogba për shkak të dënimit për doping.
Në një mënyrë ose në një tjetër, janari do të jetë muaji vendimtar. Atëherë lojtari mund të gjejë një skuadër tjetër, ndoshta në MLS, e për tu kthyer në fushë duhet të presë vetëm muajin mars.
POGBA: “DUA JUVEN, GATI TË REDUKTOJ PARATË”
“Mendoj se do të jem gati të stërvitem dhe të luaj me Juven. Unë tani jam lojtar i Juves. Në mendjen time është vetëm kjo sot”. Kështu tha mesfushori francez i Juventus, Paul Pogba, në një intervistë ekskluzive për ‘La Gazzetta dello Sport’, pas reduktimit të dënimit për doping nga CAS në 18 muaj, që do të përfundojë në mars.
“Do të jetë një Pogba i ri: më i uritur, më i mençur dhe më i fortë. Jam stërvitur vetëm me trajnerët gjatë këtij viti dhe jam gati të kthehem në normalitet në vitin 2025. Kam vetëm një dëshirë, të luaj futboll. Jam i gatshëm të heq dorë edhe nga disa para vetëm që të luaj përsëri për Juven. Dua të kthehem”.