Mësohet se Gjykata e Posaçme hodhi sot në orën 09:00 shortin për të caktuar trupën gjykuese për dosjen ‘Partizani’.
Magjistratja Flojera Davidhi është e zgjedhura me short për të gjykuar kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Bëhet me dije se në listën e 10 gjyqtarëve nuk u përfshi emri i Irena Gjokës, e cila ka qenë trupë gjykuese prej tetorit të vitit të kaluar ku ka miratuar edhe masat e sigurisë, ndërsa ligji përcakton se nuk duhet të jetë më pjesë e procesit.
SPAK ka mbyllur dje hetimet për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, duke dërguar për gjykim Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, dy biznesmenët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, si edhe noteren Andia Pustina. Dosja i ka kaluar Gjykatës së Posaçme dhe Flojera Davidhi do duhet të vendosë nëse kalon ose jo për gjykim.
Berisha bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi janë marrë të pandehur lidhur me çështjen, ndërsa të dy ndodhen nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ata akuzohen për veprën penale “korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim”.
Biznesmenit Fatmir Bektashi, po ashtu iu komunikua akuza “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begeja, si dhe noteres Andia Pustina, ortakë dhe lidhje në veprimtari procedurash me Malltezin. Lideri i opozitë dhe dhëndri i tij e kanë cilësuar procesin si politik dhe akuzat ndaj tyre si të sajuara nga “prokurorë që janë në urdhërat politike të Edi Ramës”.