Jurgen Klopp rikthehet në futboll, por jo si trajner. Ish-trajneri i Liverpool do të marrë rolin e ‘përgjegjësit global të futbollit’ për grupin Red Bull duke filluar nga 1 janari 2025. Klopp u largua nga Liverpool majin e kaluar, pas nëntë vitesh, duke deklaruar se donte të merrte një vit pushim. Trajneri kishte përjashtuar mundësinë e rikthimit në trajnim, të paktën në të ardhmen e afërt.
“Pas gati 25 vitesh në pankinë, nuk mund të isha më i entuziazmuar që po përfshihem në një projekt si ky. Roli im mund të ketë ndryshuar, por pasioni im për futbollin dhe për njerëzit që e bëjnë lojën atë që është, mbetet i njëjtë. Duke punuar me Red Bull në një shkallë globale, dua të vazhdoj të zhvilloj, vlerësoj dhe promovoj talentin e jashtëzakonshëm futbollistik që kemi në dispozicion,” tha Klopp. Sipas Sky Deutschland, Klopp ka siguruar një opsion daljeje në kontratën e tij. Nëse Federata Gjermane e Futbollit kërkon një trajner të ri për kombëtaren, Klopp mund të kthehet në pankinë.
GODITJA MË E MADHE
Red Bull është “krenare” për “goditjen” Klopp, tha Oliver Mintzlaff, përgjegjës për projektet sportive të grupit dhe ish-menaxheri i Leipzig, i cili e quajti trajnerin gjerman “pa dyshim përforcimin më të madh në historinë e futbollit të Red Bull”.
Sipas Bild, roli i gjermanit do të jetë një përzierje mes strategut, analistit dhe këshilltarit (përfshirë tregun e transferimeve) dhe zhvillimit të klubeve. Sipas informacioneve, Klopp do të jetë përgjegjës për rrjetin ndërkombëtar të të gjitha skuadrave të futbollit të grupit Red Bull: Leipzig, Salzburg, Leeds United, Neë York Red Bulls, Red Bull Bragantino në Brazil dhe Omiya Ardija në Japoni. Në punën e tij të re, Klopp do të punojë me drejtuesit e klubeve për të zhvilluar më tej filozofinë e lojës dhe për të zgjeruar rrjetin e skautimit, përveç ndihmës në përzgjedhjen e trajnerëve dhe talenteve.