Adrion Pajaziti, mesfushori kuqezi që është surpriza e madhe e teknikut Sylvinho për dy ndeshjet e Nations League kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë në transfertë, është gati të përballojë presionin që mbart fanella e kombëtares: “Besoj që jam shumë gati pasi jam në formë të mirë. Kam pasur një parasezon shumë të mirë me Fulham. Kam luajtur ndeshje dhe kam shënuar gola. Tani kam kaluar në huazim në Kroaci, jam në formë të mirë fizikisht dhe kam shumë besim tek vetja. Po të më jepet shansi, jam gati”.
Pajaziti nënvizoi gjithashtu se ka ëndërr që të kualifikohet me Shqipërinë në Kampionatin Botëror, ndërsa tregoi edhe idhujt e tij kuqezi. “Dua që të tregoj veten dhe të marr sërish ftesën. Të jem lojtar i afirmuar në Kombëtare dhe në terma afatgjatë dua që të kualifikohemi në Botëror”.
Një emocion i veçantë për thirrjen me kuqezinjtë, që Pajaziti nuk ngurron ta rrëfejë: “Fola me mamin direkt kur mora vesh për ftesën dhe më pas me babin. Kanë qenë të gjithë të lumtur dhe krenar në atë moment”. Pastaj është edhe një konsideratë që djaloshi mbart mbi vete, atë të Demollarit të ri: “E kam parë në Youtube. Është legjendë e Shqipërisë dhe ndihem mirë kur dëgjoj këto komplimente. Do të tentoj dhe unë të bëhem një legjendë si ai”.