Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, sonte do të kthehet në Butler, Pennsylvania, vendi i cili më 13 korrik të këtij viti ishte dëshmitar i përpjekjes për atentat ndaj ish-presidentit, përcjell Gazeta Metro.
Donald Trump shpëtoi për një fije floku para tre muajsh kur një person shtiu me snajper drejt tij. E gjithë ngjarja ishte duke u xhiruar drejtpërdrejt.
Prej asaj kohe, ka pasur shumë rrjedhoja në garën presidenciale të SHBA-së. Presidenti Joe Biden nuk është më kundërkandidati i Trump-it, por zëvendëspresidentja Kamala Harris.
Në anën tjetër, ndonëse gjatë muajit korrik dukej se Trump ishte favorit i padiskutueshëm për t’i fituar zgjedhjet, tashmë gara paraqitet shumë e ngushtë midis dy kandidatëve.
Sa i përket tubimit të sotëm në Butler, Trump tha se është duke e mbajtur premtimin për t’u kthyer pikërisht në vendin ku iu rrezikua jeta jo shumë kohë më parë.
“Ne po kthehemi. Kjo është gjë e madhe. Shumë njerëz do të vijnë. Mendoj se do ta filloj fjalimin duke thënë: Siç po thosha”, tha ish-presidenti Trump duke kujtuar momentin kur iu ndal fjalimi si pasojë e atentatit, shkruan CNN.
Sipas faqes zyrtare të ish-presidentit Trump, eventi në Butler do të fillojë në orën 17:00 me kohën lokale, ose në orën 23:00 në Kosovë.