Një dygolësh i shënuar nga Fatmir Prenga i ka dhënë fitoren e parë në këtë kampionat teknikut Bledi Shkëmbi në krye të Tiranës. Pas gjashtë barazimeve radhazi, frymëmarrja për teknikun ka ardhur me fitoren 2-1 me përmbysje ndaj Skënderbeut. Pikërisht në ndeshjen që mbylli javën e 7 të Superiores, bardheblutë kanë përmirësuar renditjen dhe kanë mbetur skuadra e vetme e pathyer e kampionatit.
Të parët që kaluan në avantazh ishin në fakt korçarët. Pas një loje të kujdesshme me dy skuadrat që kërkonin të dilnin përpara me kujdes, për të mos pësuar, ekuilibrat u thyen në minutën e 39’. Rashica fitoi dhe shndërroi vetë në gol një penallti, të vendosur nga VAR pas një kontakti me Haxhiun. Goli i sulmuesit vendosi pjesën e parë, por gjërat ndryshuan pas rifillimit.
Tirana u bë më kërkuese dhe po insistonte në anët e portierit Alia. Numri 1 i bardhekuqve, që shpëtoi rezultatin në disa moment në pjesën e parë, u dorëzua në golin e realizuar nga Fatmir Prenga pas sekonda pas nisjes. Djaloshi nuk u mjaftua me kaq, sepse edhe goli i dytë në minutën e 72’ mban firmën e tij.
Dygolëshi i parë me fanellën bardheblu nga Prenga shpëtoi edhe teknikun Shkëmbi, që kërcënohej nga mungesa e rezultateve. Kjo është fitorja e parë e Tiranës për këtë kampionat dhe bardheblutë ngjiten tani në vendin e shtatë me 9 pikë. Parakalohet kështu Skënderbeu, që zbret në vendin e 8-të, me 7 pikët e grumbulluara deri tani.