Deputeti Edi Paloka mori fjalën sot në Komisionin e Integrimit pas fjalës që mbajti kryetarja Jorida Tabaku dhe përfaqësuesi i mazhorancës, Niko Peleshi.
Paloka njoftoi arsyet përse PD kishte ndërmarrë nismën e re të saj, për bojkotim të Komisioneve, duke renditur sipas tij shkeljet e mazhorancës dhe fakti se Shqipëria nuk është gati për anëtarësim në BE.
Paloka sulmoi hapur edhe drejtësinë e re si shkaktare të situatës politike të fundit, duke iu referuar burgosjeve të liderëve të opozitës.
“Shqipëria e Edi Ramës nuk plotëson asnjë nga kushtet e BE-së. Për fat të keq nuk plotëson asnjë nga kriteret e BE aktualisht që flasim, kur pritet edhe hapja e negociatave. Reforma elektorale, kushtet e të cilës prej 11 vitesh nuk plotësohen dhe regjimi nuk lejon zgjedhjet e barabarta në Shqipëri, edhe pse i kërkon OSBE-ODIHR”, tha deputeti demokrat.
Ai përmendi gjithashtu faktin se “qytetarët enden gjykatave, me plotë 138 mijë dosje në pritje, ku përballen me këtë realitet”. Ai tha se një qytetari i duhen 14,6 vite për proces civil dhe 10 vite për një proces penal në dyert e drejtësisë së reformuar.
Më tej ai sulmoi edhe drejtësinë e re.
“Kjo drejtësi e kapur dhe në duart e Edi Ramës. Sot në prag të zgjedhjeve të gjithë krerët e partive opozitare janë nën arrest, persekutim apo në çështje penale nga kjo drejtësi e reformuar. Fredi Beleri u arrestua dhe u borgos dhe u zgjodh eurodeputet duke qenë në burg. Një tjetër koleg i yni dy ditë më parë (Ervin Salianji), po si Fredi Beleri, pa dëshmitarë e prova u çua në burg, tha Paloka.