Avionët luftarakë izraelitë kryen dhjetëra sulme në Libanin jugor të hënën në mëngjes, duke shtuar bombardimet e tyre ndërsa ushtria paralajmëroi civilët të evakuoheshin dhe tha se do të vazhdonte të godiste vendet ku besonte se Hezbollahu po ruante armë.
Vargu i sulmeve, të cilat ngritën kërpudha tymi dhe zjarri nëpër kodrat e Libanit jugor, pasuan paralajmërimet e SHBA ndaj Izraelit kundër ndërmarrjes së hapave që mund të rezultojnë në një luftë të plotë me grupin militant libanez.
“Ne këshillojmë civilët nga fshatrat libaneze të vendosura brenda dhe pranë ndërtesave dhe zonave të përdorura nga Hezbollahu për qëllime ushtarake, të tilla si ato të përdorura për ruajtjen e armëve, që të largohen menjëherë”, tha zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, kundëradmirali Daniel Hagari.
Banorët e Bejrutit i thanë Financial Times se morën thirrje paralajmëruese në linjat e tyre fikse nga ushtria izraelite që urdhëronte banorët e fshatrave në Libanin jugor ku ndodhet Hezbollahu të evakuohen.
Ministri i informacionit i Libanit Ziad al-Makary tha në mediat sociale se një numër i madh banorësh në Bejrut dhe zona të tjera morën mesazhe telefonike “të rastësishme” përmes telefonave të tyre fikse, duke u thënë atyre të evakuonin vendndodhjet e tyre.
Lexo më tej: Përshkallëzohet konflikti në Lindjen e Mesme, Izraeli sulmon Libanin jugor
Zyra e tij në Bejrut mori një nga telefonatat, të cilat ai tha se ishin pjesë e politikës së “luftës psikologjike” të Izraelit, duke shtuar se “puna në Ministrinë e Informacionit vazhdon si zakonisht”.
Ministri i Kulturës mori gjithashtu një telefonatë me një theks të çuditshëm arab duke e paralajmëruar atë që të largohej menjëherë nga zyra sepse ishte një objektiv, njoftuan lajmet shtetërore libaneze.
“IDF (ushtria izraelite) do të angazhohet në sulme të gjera, të sakta, kundër objektivave terroriste që janë ngulitur gjerësisht në të gjithë Libanin,” tha Hagari.
Avionët luftarakë izraelitë goditën thellë në rajonet jugore të Libanit dhe Bekaa, duke kryer më shumë se 80 sulme ajrore në jug brenda gjysmë ore herët të hënën në mëngjes, sipas lajmeve shtetërore libaneze. Sulmet ajrore vranë një person dhe plagosën pothuajse 24 njerëz, tha ministria e Shëndetësisë së Libanit.
Bastisjet izraelite shënuan disa nga bombardimet më të rënda të zonave të dominuara nga Hezbollahu në Libanin jugor që kur palët filluan shkëmbimin e zjarrit ndërkufitar pas sulmit të Hamasit mbi Izraelin më 7 tetor. Përshkallëzimi ka ngjallur frikën se një luftë e plotë tokësore mund të jetë e pashmangshme, dhe SHBA-ja lëshoi të dielën një paralajmërim të ashpër ndaj Izraelit kundër përshkallëzimit të frontit të dytë në veri.
Lexo më tej: Kreu i Hezbollahut: Sulmet e Izraelit ndaj Libanit janë një shpallje lufte, ne nuk do të ndalemi
I pyetur për mundësinë e një inkursioni tokësor izraelit në Libanin jugor, Hagari tha se Izraeli do të vazhdojë të “bëjë gjithçka që nevojitet” për të parandaluar që Hezbollahu të jetë në gjendje të godasë Izraelin verior dhe të lejojë banorët vendas të kthehen në shtëpitë e tyre.
Ai tha se IDF kishte fokusuar sulmet e saj të hënën në mëngjes në shtëpitë që fshihnin armët e Hezbollahut. Ushtria shpërndau një video që tregonte IDF-në duke goditur një ndërtesë që dukej të ishte një shtëpi e zakonshme në Libanin jugor. IDF tha se Hezbollahu kishte fshehur një raketë që ishte gati për ta lëshuar në atë ndërtesë.
Sirenat u dëgjuan disa herë gjatë natës në veri të Izraelit, por zjarri nga Hezbollahu ishte më i heshtur se natën e kaluar, kur grupi militant lëshoi rreth 150 raketa kundër Izraelit.
Hezbollahu tha se breshëritë e së dielës ishin një përgjigje “fillestare” ndaj shpërthimeve masive të pajisjeve të tij të komunikimit që vranë 37 njerëz dhe plagosën më shumë se 3,000 në të gjithë Libanin. Hezbollahu ka fajësuar Izraelin për shpërthimet e paisjeve, i cili nuk e ka konfirmuar apo mohuar drejtpërdrejt përgjegjësinë.
Lexo më tej: Pikëpyetjet/ Si i shpërtheu Mossadi mijëra anëtarë të Hezbollahut me një SMS
John Kirby, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, paralajmëroi Izraelin të dielën se kishte “mënyra më të mira” për të siguruar që qytetarët izraelitë të mund të kthehen në shtëpitë e evakuuara në veri “se sa një luftë, përshkallëzim, pastaj hapja e një fronti të dytë”.
“Ne nuk e besojmë një konflikt ushtarak dhe këtë po ua themi drejtpërdrejt homologëve tanë izraelitë…ne nuk besojmë se përshkallëzimi i këtij konflikti ushtarak është në interesin e tyre më të mirë, ” tha Kirby për ABC’s This Week.
Në një konferencë për “frontin e brendshëm” të shtetit të Izraelit të hënën, ministri i mbrojtjes i Izraelit Yoav Gallant tha se banorët duhet të qëndrojnë të qetë përballë përshkallëzimit të luftimeve.
“Ne po thellojmë sulmet tona në Liban, sekuenca e operacioneve vazhdon,” tha Gallant. “Para nesh janë ditë kur publiku do të duhet të tregojë gjakftohtësi, disiplinë.”
Duke dhënë një shenjë se Izraeli po pret që reagimi i Hezbollahut të intensifikohet, Gallant u bëri thirrje izraelitëve që të ndjekin urdhrat nga afër. “Dallimi midis suksesit dhe dështimit do të varet nga hyrja e qytetarëve në dhomat e mbrojtura dhe zonat e tjera në përputhje me udhëzimet që u kemi dhënë. Kjo shpëton jetë”, tha Gallat.
Financial Times, përshtati në shqip ©LAPSI.AL