Partizani më efikas në sulm, Tirana më hermetike në mbrojtje: dy rivalët e mëdhenj të kryeqytetit e kanë nisur me karakteristika të ndryshme kampionatin. Sidoqoftë, prova e vërtetë do të jetë sonte në orën 20. Gjithçka gati për derbin e parë të këtij sezoni në Superiore dhe Arena Kombëtare do të jetë skena e përplasjes Partizani-Tirana.
Tirana nuk ka fituar ende asnjë ndeshje, por ndërkohë nuk ka regjistruar humbje. Pesë barazimet në pesë javët e para të kampionatit janë edhe rezultat i faktit se Tirana është skuadra e dytë që pëson më pak goditje në portë për ndeshje, 8.45. Mbrojtja më e vështirë për t’u thyer është ajo e Egnatias, edhe për faktin se vjen nga një sezon i jashtëzakonshëm.
Partizani nga ana tjetër ka humbur vetëm një ndeshje dhe aktualisht është i treti në renditje me 8 pikë të barabarta me Elbasanin. Fillimi pozitiv i skuadrës së Aleksandër Veselinovic vjen sigurisht edhe për shkak të aftësisë për të krijuar raste për gol. Partizani është skuadra që në këto pesë ndeshjet e para ka goditur më së shumti portën e kundërshtarit, me një mesatare prej 14.8 gjuajtjesh për ndeshje.
Lexo më tej: Superiore, derbi i kryeqytetit në 21 shtator: përcaktohet kalendari i kampionatit deri në javën e tetë
Një aspekt ku Partizani mund të duhet të përmirësohet është saktësia e gjuajtjeve, duke qenë se vetëm 35.4% e goditjeve përfundojnë në portë. Nga ana tjetër, 43% e goditjeve të Tiranës përfundojnë në portë, nga 10.7 goditje për ndeshje, është një shifër që tregon se bardheblutë janë më saktë në finalizim.
Një sulm i shkëlqyer (ai i Partizanit) kundër një mbrojtjeje shumë të mira (ajo e Tiranës): kjo është ndeshja që na pret mbrëmjen e së shtunës. Kush mund të ketë më shumë zotërimin e topit? Shifrat na sugjerojnë Partizanin, që është pas Egnatias skuadra që dominon më shumë lojën gjatë këtij kampionat.