Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 20 shtator po zhvillon vizitë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, për të diskutuar mbështetjen e Evropës, përgatitjet për dimër, mbrojtjen dhe përparimin sa i përket kredive të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7).
“Vizita ime e tetë në Kiev vjen në kohën kur nis sezoni i ngrohjes, dhe Rusia vazhdon të shënjestrojë infrastrukturën e energjisë”, të Ukrainës, shkroi në X von der Leyen.
Një ditë më herët, ajo tha se 160 milionë euro nga asetet e ngrira ruse do të alokohen për të përmbushur kërkesat urgjente humanitare të Ukrainës gjatë këtij dimri.
Rusia ka shkatërruar rreth 9 gigavatë të infrastrukturës së energjisë të Ukrainës, që von der Leyen tha se janë “fuqi e barasvlershme e tri shteteve baltike”.
Presidentja e KE-së tha po ashtu se BE-ja synon të rivendosë kapacitete gjeneruese të energjisë prej 2.5 gigavatësh, gjë që sipas saj, do të rriste edhe eksportet për të furnizuar Ukrainën me 2 gigavatë energji elektrike. Gjatë vizitës në Ukrainë, udhëheqësja evropiane do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe me zyrtarë të tjerë. Vizita e saj e tetë në Ukrainë po zhvillohet teksa forcat ukrainase që nga gushti po kryejnë një ofensivë në rajonin rus të Kurskut, dhe forcat ruse po vazhdojnë ofensivën e tyre në lindje të Ukrainës./ REL