Emri i Lamine Yamal është tashmë në gojën e të gjithëve. Ylli në rritje i futbollit spanjoll dhe botëror, pasi ka mahnitur sezonin e kaluar në debutimin e tij mes të mëdhenjve të Barcelonës dhe ka dominuar Euro 2024 duke fituar turneun me Spanjën, këtë vit padyshim që e ka nisur me këmbën e djathtë. Tashmë 3 gola dhe 4 asiste në 5 ndeshjet e para të luajtura, por ka diçka që nuk shkon.
Të shumtë janë ata, që duke parë se si ai lëviz në fushë, priren të harrojnë se i linduri në Esplugues de Llobregat është i datëlindjes 2007 dhe mbushi 17 vjeç korrikun e kaluar dhe, për këtë arsye, është i destinuar të ofrojë argëtim për një kohë shumë të gjatë në vazhdim. A do ta bëjë këtë me klubin ku u rrit? Duke dëgjuar disa nga intervistat e tij të fundit do të thuhej po, por në futboll, dhe kjo është një e vërtetë absolute, asgjë nuk merret si e mirëqenë, veçanërisht kur bëhet fjalë për para, shumë para. E fakti që Yamal, i konsideruar nga të gjithë si ndër 10 futbollistët më të mirë në botë, merr një rrogë të papërfillshme (sipas kohës) është një paradoks i vërtetë.
LAMINE YAMAL, RROGA ËSHTË “QESHARAKE”
A është e mundur që një nga lojtarët më të mirë në botë të marrë më pak se gjysmën e portierit të dytë të ekipit të tij? Po, nëse lojtari në fjalë quhet Lamine Yamal dhe sapo ka mbushur 17 vjeç. Pak e prisnin që djali spanjoll do të ecte përpara kaq shpejt. Barcelona me siguri shpresonte për këtë, pasi kishte nënshkruar me të vitin e kaluar, me një kontratë deri në vitin 2026 me vlerë pak më pak se 1.5 milion euro në sezon. Më pak se gjysma, praktikisht, e asaj që Inaki Pena, portieri i dytë i klubit, siguron çdo vit.
Një rrogë që duhet të rregullohet domosdoshmërisht, nisur nga shpërthimi i lojtarit. Siç zbuloi sot Marca, Barça para së gjithash do të propozojë një rritje të konsiderueshme, për të arritur në një shifër që përputhet me cilësinë e padiskutueshme të lojtarit. Në të njëjtën kohë, së bashku me menaxherin e Yamal, Jorge Mendes, klubi do të hapë një dialog për zgjatjen e kontratës së tij dhe do të përpiqet ta blindojë, në moshën 18-vjeçare, deri në vitin 2030.