Për Cristiano Ronaldo praktikisht flitet gjithmonë, në të mirë e në të keq, dhe ndonëse kampioni portugez vazhdon të shënojë gola dhe të thyejë rekorde gati 40 vjeç, bota e futbollit mbetet plot me kritikë dhe kritikues. Ishin dy ish-qendërsulmuesit e kombëtares angleze, Gary Lineker dhe Alan Shearer, ata që u tallën me portugezin e lindur në Madeira, duke folur për lotët tashmë të famshëm pas gabimit nga pika e bardhë në ndeshjen e 1/8 të Euro 2024 mes Portugalisë dhe Sllovenisë. Ronaldo ato fjalë duhet t’i ketë shkruar për të mos i harruar…
Sulmuesi i Al-Nassr nuk është mësuar t’u përgjigjet provokimeve të përditshme që vijnë nga e gjithë bota, por mesa duket këtë herë nuk i kanë pëlqyer shumë komentet e bëra ndaj tij. E pas disa javësh ka dashur të përgjigjet në të njëjtën mënyrë.
CR7, REPLIKA NDAJ LINEKER E SHEARER E ASHPËR
Dy ish-sulmuesit e kombëtares së Tre Luanëve, duke komentuar atë episod të njohur në podkastin “The Rest is Football”, u tallën me reagimin e portugezit. Lineker e kishte krahasuar me atë të një nxënësi të frustruar, Shearer e kishte akuzuar Cristianon se kishte një ego të ekzagjeruar. Fjalë që dukej se kishin kaluar pa u vënë re, por që fituesi i 5-fishtë i Topit të Artë i kishte ngulitur mirë në mendjen e tij. Në rastin e parë të dobishëm, në një bisedë me ish-bashkëlojtarin e tij te Manchester United, Rio Ferdinand, erdhi përgjigja e ashpër.
Portugezi, duke komentuar lotët e tij pas një penalltie të humbur, filloi me një deklaratë të përgjithshme: “Ata nuk dinë asgjë (kritikët red.). Është shumë më e lehtë të kritikosh sesa të vlerësosh. Ne e dimë se si funksionon shtypi, nëse flet pozitivisht nuk shet asgjë. Duhet të flasësh negativisht. E nëse flet për Cristianon, përfundon në faqen e parë, sepse unë jam tipi më i ndjekur në botë”. Më pas, sipas mediave britanike, sulmuesi iu drejtua drejtpërdrejt dy anglezëve, pa i përmendur asnjëherë emrat: “Çfarë do të bëj? Do të qaj dhe pastaj do t’i jap fund karrierës sepse më kritikuan dy minj? Bota më do! Më duan tifozët. Ky është motivimi im, askush nuk do të më heqë shkëlqimin, sepse dy tipa në televizion më kritikuan”.