Me rezultatin e Egnatias të mësuar, të enjten Partizanin e pret një detyrë e vështirë, në derbin e parë të kryeqytetit për këtë sezon të Abissent Superiore. Pikërisht në javën e 4 të kampionatit, të kuqtë e Veselinovic nuk do të gjejnë përballë vetëm Dinamon, por edhe një njohje të vjetër të tyre, teknikun Ilir Daja. Tekniku 57 vjeçar, kampion me blutë, sfidon menjëherë skuadrën e fundit në Shqipëri në një derbi elektrizues.
“Na pret një ndeshje e vështirë, sepse Partizani dhe Egnatia janë pretendentë për ta fituar titullin – tha Daja në konferencën për shtyp përpara debutimit -. Edhe vjet e ndanë në finale titullin. Partizani e ka ruajtur boshtin, edhe pse ka pasur largime. Disa lojtarë i kam pasur nën drejtim dhe disa prej tyre kanë aftësi individuale të bëjnë dëm në çdo moment. Kjo gjë e rrit shkallën e vështirësisë. Përtej vështirësive, duhet të jemi pragmatistë, nuk duhet të dalim pa pikë nga kjo ndeshje, por verdiktin final e jep fusha”.
Nëndetësja duhet të përmirësojë renditjen pas dy humbjesh e një fitore në tre javët e para, ndërsa Partizani të ruajë ritmin e krijuar nga dy fitoret radhazi me ardhjen e Veselinovic, pas humbjes në debutim. “Ndryshimi i trajnerëve ka sjellë ndryshime në skuadrën e tyre. Jam i bindur që njerëzit që punojnë në atë klub kanë idetë e tyre dhe janë të sigurtë në atë që kërkojnë. Përsa i përket trajnerit mendoj që ai ka idetë e veta përsa i përket drejtimit të skuadrës. Dua ta komplimentoj për punën shumë të mirë që ka bërë në drejtimin e Ballkanit. E thash ata kanë lojtarë mjaft të mirë, por ne jemi Partizani dhe duhet të mendojmë për vetën tonë”, tha tekniku i të kuqve Veselinovic.
ELBASANI KUNDËR VENDIT TË FUNDIT
Po në orën 19, të enjten, do të zbresë në fushë në Elbasan Arena edhe formacioni vendas i drejtuar nga Bordin do të presë Laçin e vendit të fundit. Verdheblutë duhet të kalojnë ngërcin e humbjes së fundit me Dinamon dhe do të shfrytëzojnë faktorin fushë. Kurbinasit në anën tjetër do të kërkojnë ringritjen me fitoren e parë në kampionat, pas dy barazimeve e një humbje. Cungu e ka të qartë se do të jetë një sezon i vështirë, ndaj dhe ka ngut të luftojë për pikë në çdo ndeshje, që tani.