Shqipëria është mposhtur 1-0 nga Gjeorgjia, në ndeshjen e vlefshme për grupin B1, në Ligën e Kombeve. Pas triumfit me Ukrainën, për kuqezinjtë ka ardhur një humbje në shtëpi ndaj një rivali që ruan pathyeshmërinë në precedentët në 7 ndeshje radhazi. Një pjesë e parë në kontroll në Air Albania dhe pastaj një goditje e marrë ndoshta në momentin kur Sylvinho po tentonte diçka më shumë.
Në takimin e sotëm në “Air Albania”, kuqezinjtë vinin pas fitores së rëndësishme 2-1 ndaj Ukrainës në ndeshjen e parë. Por ndryshe nga sfida me të besuarit e Rebrov, kuqezinjtë e drejtuar nga Sylvinho nuk arritën të përsërisin të njëjtën lojë ndaj Gjeorgjisë, që luajti më e tërhequr, duke përdorur kundërsulmin. Kuqezinjtë nuk mundën të depërtonin mbrojtjen kundërshtare duke mos regjistruar asnjë gjuajtje në portën e Mamardashvilit.
Ndeshja u vendos në minutën e 71′-të nga një supergol i shënuar nga Kochorashvili. Mbrojtësi gjeorgjian, ia doli të shënojë në portën e Strakoshës, i cili në dy raste në fund shmangu një humbje më të thellë me pritjet e tij.
Kjo është humbja e parë për trajnerin Sylvinho, në “Air Albania”, nga koha kur ka marrë drejtimin e kuqezinjve. Madje goli i shënuar nga Kochorashvili ishte i pari i pësuar brenda mureve të shtëpisë prej gati dy vitesh. Pas këtij takimi, Shqipëria mbetet në vendin e dytë me 3 pikë, po aq sa edhe Çekia e vendit të tretë. Gjeorgjia renditet e para, me 6 pikë, pas dy ndeshjeve të zhvilluara.