Shqipëria e pathyeshme me Sylvinhon në “Arenën Kombëtare”, statistikat trembin gjeorgjianët

Shqipëria do të luajë sonte në mbrëmje ndaj Gjeorgjisë në “Arenën Kombëtare”, një duel që pritet të dhurojë spektakël dhe emocione. Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë aventurën në këtë kompeticion, duke mundur Ukrainën, e cila në letër ishte skuadra më e fortë e grupit. Të besuarit e Sylvinhos dhanë një paraqitje fantastike, të cilët edhe pse qëndruan për 5 minuta në disavantazh, e menaxhuan mjaft mirë ndeshjen për ta përmbysur.

Bilanci me Gjeorgjinë nuk është shumë pozitiv. Fitorja e fundit e Kombëtares sonë është në vitin 2005 në “Qemal Stafa”, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Gjermani 2006”, e cila u mbyll me rezultatin 3-2. Që atëherë Shqipëria është përballur 5 herë me Gjeorgjinë, ku numëron tre barazime dhe dy humbje, të gjitha miqësore. Në totalin e përballjeve me njëra-tjetrën, kuqezinjtë numërojnë tre fitore, ndërsa gjeorgjianët 8. 4 janë mbyllur në barazim.

Stadiumi mbrëmjen e sotme do të jetë i gjithi i mbushur, duke krijuar një avantazh të madh për kuqezinjtë. Disfata e fundit e Shqipërisë në këtë stadium daton më 16 nëntor 2022, 1-3 përballë Italisë në miqësore. Pas kësaj erdhi fitorja me Armeninë 2-0, e cila ishte dhe e fundit për Edy Rejan në stolin kuqezi.

Më pas në krye erdhi Sylvinho, i cili në 5 ndeshjet e zhvilluar brenda, numëron 4 fitore dhe një barazim. Tekniku brazilian kërkon të ruajë këtë vazhdimësi, ndërsa një fitore e radhës do të bënte që Shqipëria të mbante kreun e grupit. Hera e fundit që Kombëtarja ka pësuar gol në fushën e saj ishte në ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Islandës, më 27 nëntor 2022. Ajo përballje përfundoi në barazim 1-1.

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top