Situata në kufi, Policia e Kosovës: Në Jarinjë ka qarkullim të automjeteve, Bërnjaku dhe Merdare të mbyllura

Qarkullimi i të gjitha automjeteve nga të dyja anët e kufirit verior në pikëkalimin Jarinjë mes Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar pa ndonjë problem të shtunën, një ditë pasi u bllokua pjesërisht nga disa shoqata serbe, sipas Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, dy pikëkalime të tjera, Bërnjak dhe Merdare, vazhdojnë të mbesin të mbyllura. Mëngjesin e së shtunës janë parë disa persona duke qëndruar pranë barrikadës në afërsi të pikës kufitare Merdare, raporton shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL). Dragisha Miriç, kryetar i Shoqatës Koreni në Serbi, tha se bllokadat në pikat kufitare do të mbesin deri në një njoftim të radhës dhe se protestuesit do të qëndrojnë atje me ndërrime çdo gjashtë orë.

Përfaqësues nga disa shoqata serbe i bllokuan të premten rrugët dhe i kthyen mbrapsht udhëtarët me dokumente kosovare në pjesën serbe pranë këtyre tri pikave kufitare me Kosovën, në shenjë proteste kundër veprimeve të fundit të autoriteteve kosovare në veriun e banuar me shumicë serbe. Por, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha të shtunën në mëngjes se në Jarinjë nuk ka më bllokim të kufirit.

“Në mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Jarinjë, është duke u zhvilluar pa problem qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e kufirit edhe të automjeteve me targa serbe dhe atyre me targa të Kosovës”, tha Elshani.

Megjithatë, në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Kosovës qarkullimi në Jarinjë thuhet se është i bllokuar për automjetet dhe kamionët me dokumente kosovare. Autoritetet kosovare i mbyllën të premten në mbrëmje për qarkullim dy pikëkalime kufitare me Serbinë – Bërnjak dhe Merdare.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të premten se këto dy pikëkalime janë mbyllur për pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po i “ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste” qytetarët që duan të kalojnë transit përmes Serbisë.

Ato do të mbesin të mbyllura deri sa gjendja të normalizohet dhe “personat e maskuara të largohen”, tha ai. Ekipi i shërbimit të Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka parë persona të maskuar afër bllokadës të vendosur në pjesën serbe të kufirit në Bërnjak natën e së premtes. Pikëkalimet e tjera kufitare mes dy vendeve, Dhei i Bardhë, Mutidovë dhe Muçibabë, janë të hapura.

Shoqatat serbe i vendosën këto bllokada në anën serbe të kufirit me Kosovën si shenjë proteste ndaj mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare më 30 gusht. Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.

Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe. Por, Qeveria e Kosovës thotë se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe. Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht./ REL

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top