Sot përfundon afati për aplikim nga qytetarët për konvertim të patentës së shoferëve të lëshuara nga institucionet ilegale serbe në patentë shoferë zyrtar të Kosovës.
Mbi 6.300 qytetarë kanë aplikuar për konvertimin e patent shoferëve nga ato ilegale në ato të republikës së Kosovës. Kështu ka bërë të ditur për RTK-në zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Mitrovica e Veriut.
“Janë konvertuar përmbi 6 mijë e 300 patentë shoferë. Ka afat edhe nesër deri në orën 16:00. Pastaj, është fundjavë dhe do të vazhdojmë me vetëdijësim të qytetarëve, në rast se hasim në patenta shoferi paralele të cilat janë jo ekzistuese për ne”, ka thënë ai.
Elshani ka bërë të ditur se nga e hëna do të vazhdohet me vendosje gjobash, të cilat sipas tij do të jenë në vlerë nga 500 deri në 1500 euro. Ai ka bërë të ditur se vlerësohet se kanë mbetur vetëm edhe disa qindra patentë shoferë të pakonvertuar.
“Nuk e kemi shifrën e saktë, sidoqoftë kemi qytetarë të tjerë të cilët s’mund t’i realizojnë të drejtat e tyre për të qenë shtetas të Kosovës. Ka një numër që nuk e dimë saktë, por që është me qindra”, tha Elshani. Procesi i konvertimit të patentë shoferëve ka nisur nga 9 maji.