Pak javë më parë PS dhe PD ranë dakord me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ndryshimet e dakordësuara mes palëve për Kodin e ri Zgjedhor u miratuan me 106 vota pro në seancën e 26 korrikut.
Por kjo marrëveshje për reformën zgjedhore ka përfshirë edhe një ndryshim, ku kryetarët e partive, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, nuk mund të kandidojnë në më shumë se një qark njëkohësisht, sipas Euronews.
Ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili në zgjedhjet e kaluara kandidoi në Durrës dhe Vlorë njëkohësisht, apo edhe Monika Kryemadhi si drejtuese e LSI, e cila po ashtu kandidoi në Tiranë, Elbasan dhe Fier.
Kjo taktikë iu jepte avantazh kryetarëve të partive të fitonin mandate në disa qarqe e pastaj t’i braktisnin për të futur në Kuvend mbështetës të tjerë të tyre, ashtu siç ndodhi në zgjedhjet e kaluara.
Por ky ndryshim duket se do të rendojë më shumë te partitë e reja. Këto të fundit përmes kandidimit të liderit të tyre, dhe imazhit të tij, kishin shpresë për të siguruar mandate në disa qarqe.
Vlen të theksohet se ky ndyshim kaloi në heshtje nga dy partitë më të mëdha në vend. PS dhe PD e kanë shfuqizuar këtë nen, por nuk dihet nëse u bë pas kritikave të OSBE apo “frikës” shanseve që kjo formulë mund tu jepte partive të reja.