Java e parë e Premier League 2024/25 mbyllet me një barazim mes Tottenham dhe Leicester të sapo promovuar. Në stadiumin King Power, 1-1 është rezultati i një ndeshje në të cilën Spurs luajtën një pjesë të parë të shkëlqyer, përpara se të binin ndjeshëm në gjysmën e dytë. Porro zhbllokoi sfidën në minutën e 29′, por ishte goli i Vardy në minutën e 58′ që ndezi atmosferën. Tottenham nuk i konkretizoi mundësitë e shumta të krijuara dhe në fund rrezikoi edhe humbjen.
IN MEMORIUM TË SHAKESPEARE
Para-ndeshja në stadiumin King Power u shënjua nga kujtimi emocionues për Craig Shakespeare, ish-trajneri i Leicester që u nda nga jeta më 1 gusht pas një sëmundjeje të gjatë (ai fitoi Premier League në 2016 si ndihmës i Claudio Ranieri). Tottenham dominoi pjesën e parë, duke ndërtuar rastet në seri. Spurs kaluan në avantazh në minutën e 29′, kur në krosimin e Maddison, erdhi goditja fituese e Pedro Porro që bëri rezultatin 1-0. Londinezët ishin afër dyfishimit pak çaste më vonë me Brennan Johnson. Sidoqoftë, ai që çmendi mbrojtjen e Leicester ishte Maddison, autor i pjesës së parë të nivelit më të lartë. Veprimet më interesante të Tottenham erdhën të gjitha nga këmbët e tij.
ANKTH PËR BENTANCUR
Foxes kishin nevojë për një shkëndijë për të ndryshuar lojën e tyre dhe i pashtershmi Jamie Vardy ishte ai që e shkaktoi. I harruar plotësisht nga mbrojtja, kapiteni i Leicester barazoi 1-1 në minutën e 58′. Filloi nga këtu një ndeshje tjetër. Vendasit fituan vetëbesim dhe vetëm Vicario i mohoi dygolëshin kapitenit Vardy. Në minutën e 72′ loja u ndërpre për disa minuta, pas një goditjeje të fortë në kokë që pësoi Bentancur. Ish-lojtari i Juventus u largua me barelë nga fusha, por i ndërgjegjshëm.
Tottenham dukej një i afërm i largët i atij që u pa në pjesën e parë dhe Leicester kërkoi goditjen e madhe. Ndidi trembi Spurs, por Vicario shpëtoi rezultatin në minutën e 92′. Kështu, nis me një 1-1 Premier League e Spurs dhe Foxes. Një barazim me një shije krejtësisht të ndryshme për të dy skuadrat. Tottenham e mbylli jo pa zhgënjim, ndërsa Leicester rrëmbeu një pikë dhe rikuperoi në ditën e kthimit të tyre në divizionin elitar.