Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë në hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s.Gjatë një takimi të premten në Prishtinë, Kurti ua paraqiti përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër, njoftoi Zyra e tij në një komunikatë për media.
“Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në njoftim.
Më herët të premten, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha pas takimit me Kurtin se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.
Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia.Sipas njoftimit, plani i Qeverisë së Kurtit parasheh “testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – u shpreh më herët kundër hapjes së urës mbi Ibër.Sipas saj, një veprim i tillë synon “destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.
Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik. Në urën mbi Ibër patrullojnë ushtarët italianë të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, ndërsa afër janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.Kjo është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi të enjten se “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.
Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.
Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.Ura kryesore mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.
Shqiptarët në Mitrovicë të Jugut dhe serbët në Mitrovicë të Veriut – me të cilët ka biseduar më parë Radio Evropa e Lirë – janë të ndarë nëse ura duhet të hapet.Për shqiptarët, hapja e urës do të ishte “gjë e mençur”, ndërsa për serbët vendim që rrit tensionet./ REL