Video/ Asnjë ekip i Shqipërisë nuk mbetet më në Europë: Partizani e Egnatia dështojnë me “sukses”

Partizani pretendonte se mund ta përmbyste rezultatin e ndeshjes së parë të raundit të dytë të Conference League. Egnatia ishte e bindur se do të kualifikohej duke qenë se kishte fituar 0-1 në Islandë. Ajo që ndodhi ishte krejt tjetër: të kuqtë nuk shkuan më shumë se barazimi pa gola me Iberia 1999 (0-2 humbi në ndeshjen e parë), ndërsa rrogozhinasit u thyen 2-0 në Loro Borici, duke i bërë keq vetes më shumë se mund t’i bënte në realitet Vikingur.

Me pak fjalë, skuadrat shqiptare e mbyllin në raundin e dytë të Conference League aventurën e tyre Europiane, në kohën kur në raundin e parë dolën me shpejtësi Tirana e Vllaznia.

PARTIZANI 0-0 IBERIA 1999
Partizani nuk ia doli dot të mposhte gjeorgjianët e Iberias, ashtu si ndodhi pak kohë më parë kur klubi quhej ende Saburtalo. 2-0 e ndeshjes së parë ishte e papërballueshme për lojtarët e Shehit që në “Elbasan Arena” nuk shkuan më shumë se barazimi 0-0 në duelin e kthimit. Interesant është fakti se nga shtatë kalime turi gjithsej që shënohen në historinë e Partizanit, të kuqtë nuk kanë arritur në asnjërin prej këtyre rasteve me përmbysje.

EGNATIA 0-2 VIKINGUR
Egnatia tronditet në Shkodër duke zhbërë gjithcka kishte ndërtuar në transfertën e Islandës me Vikingur. Skuadra rrogozhinase nuk e mbrojti dot avantazhin e ndeshjes së parë dhe pësoi inisiativën e kundërshtarit, që solli edhe autogolin që ktheu ekuilibrin por me efekt të kundërt: Vinkingur besoi se mund tia dilte, ndërsa rrogozhinasit u futën në kompleksin e inferioritetit. Një dhuratë para portës pastaj, në rifillimin e pjesës së dytë, vrau përfundimisht ndeshjen.

Egnatia del me dy eliminime një në Champions nga Borac dhe një në Conference nga Vikingur. Miqësorja me Napolin, e humbur 4-0, tani duket një aventurë e kotë, me koston e eliminimit që nuk duhej, të cilën Egnatia e përballi me energji të shteruara nga sforcimi i të dielës me skuadrën e Antonio Contes.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top