BBC: Festivali i Dua Lipës synon të ndryshojë imazhin e Kosovës

Në Mbretërinë e Bashkuar thuajse ka festivale gjatë gjithë verës. Kjo nis me “Big Weekend” të Radio 1 në maj, “Glastonbury” në qershor, “Latitude” në korrik dhe “Reading” e “Leeds Bank” në gusht.

Disa madje mund të thonë se adhuruesit e muzikës në Britani janë të llastuar të bëjnë edhe përzgjedhje, shkruan BBC, transmeton Telegrafi.

Por, kjo nuk ndodh në të gjithë botën dhe ka shumë vende, në të cilat ka pak ose thuajse fare ngjarje të tilla.

Pikërisht në këtë mes, Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjini, donin të ndryshonin gjërat duke nisur festivalin Sunny Hill në qytetin e tyre, Prishtinë (Kosovë).

“Dua të ndryshoj retorikën e asaj që njerëzit mendojnë për Kosovën dhe se ajo është e shkatërruar nga lufta”, shpjegoi Dua në fillim të këtij viti.

“Kur jetoja në Kosovë, asnjë nga artistët që doja të shihja nuk erdhi kurrë”, tha 28-vjeçarja.

Dua ka lindur në Mbretërinë e Bashkuar, por u zhvendos në Prishtinë si fëmijë pas një lufte në fund të viteve 1990 që la më shumë se 10 mijë të vdekur, ndërsa Kosova luftoi për pavarësinë nga Serbia.

Ajo e deklaroi atë në 2008, megjithëse disa vende – përfshirë Serbinë – refuzojnë ta njohin atë.

Babai i Duas në anën tjetër tha se e kishte ‘ëndërr’ të realizonte diçka si Sunny Hill në Prishtinë, pasi kishte punuar në industrinë e ngjarjeve muzikore live vite përpara se Dua të bëhej një yll ndërkombëtar i muzikës pop.

Në vitin 2018, 10 vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë, nisi Sunny Hill – titulluar nga Dua.

Por, atëherë ishte më e vështirë të bindeshin artistë të tjerë botërorë që të vinin për të performuar në Kosovë, dhe një vit më vonë erdhi Miley Cyrus e Calvin Harris.

Kjo ndryshoi mënyrën se si festivali u pa nga artistët e tjerë dhe ekipet e tyre menaxhuese.

“Ne me të vërtetë tejkalojmë veten kur bëhet fjalë për interpretuesit e tjerë, njerëzit që mund të vijnë”, tha Dukagjini për BBC.

Të dhënat e fundit vlerësojnë se rreth 40 për qind e vizitorëve ishin nga jashtë Kosovës, duke vënë në pah se ndikim të fuqishëm ka edhe diaspora.

Disa kishin udhëtuar aq larg nga Chicago në ShBA për të parë artistë si Bebe Rexha, Burna Boy, Stormzy dhe DJ Snake që kryesuan skenën kryesore të Sunny Hill.

Pjesë e festivalit ishin dhe: Groove Armada, Black Coffee e Griff.

Kosova mendohet të ketë popullsinë më të re në Evropë, pasi më shumë se gjysma vlerësohet të jetë nën moshën 30 vjeçare.

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top