Ish-presidenti amerikan dhe kandidati republikan për president të SHBA, Donald Trump u qëllua me armë zjarri teksa po fliste në një tubim të fushatës në Pensilvani të shtunën. Të shtënat ishin disa por fatmirësisht Trump mori vetëm një plagosje të lehtë në vesh.
Mirëpo, përdorues të ndryshëm të rrjeteve sociale, teksa shpërndajnë një foto të sulmit shprehen se Donald Trump u qëllua dhe në gjoks, por ai mbijetoi pasi kishte veshur një xhaketë antiplumb. Një “vrimë” mund të shihet në foton virale të palltos së ish-presidentit.
Ata thonë se jeleku antiplumb që kishte veshur i shpëtoi jetën Donald Trump, sepse përndryshe do të kishte humbur jetën nga plumbi tjetër në gjoks.
Nga verifikimi i fakteve dhe analiza e fotografisë, sipas India Today Fact Check, fotografia virale është një version i zmadhuar i fotografisë origjinale. “Vrima” e dukshme në xhaketën e Trump është në fakt një palosje në pallton e një oficeri që e mbron atë.
Fotografia është shkrepur nga fotoreporteri Evan Vucci dhe duke parë origjinalin, kuptohet se vrima e supozuar e plumbit ishte në fakt një palosje ose një rrudhë në pallton e një punonjëseje sigurie që mbronte Donald Trump.
Incidenti ndodhi kur ish-presidenti që rikandidon për një mandat tjetër po fliste në një tubim zgjedhor në Butler, Pensilvani. FBI identifikoi 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks nga Bethel Park, Pensilvani, si i dyshuar. Ai u kap dhe u vra nga Shërbimi Sekret. Një pjesëmarrës në tubim u vra gjithashtu.
Është e qartë se Donald Trump nuk u qëllua në gjoks, por në vesh dhe fotografia virale është false.
