Berisha merr përgjigjen e dytë “non grata” nga Britania e Madhe

S’kanë pasur shumë kohë t’i gëzohen vendimit të vulës mbështetësit e Sali Berishës në Partinë Demokratike, sepse një lajm i keq ka ardhur nga Britania e Madhe, ku Komisioni Special i Apelit në Zyrën për Emigrimin ka lënë në fuqi vendimin për shpalljen “non grata”. Vendimi i plotë që mund të lexohet KETU, e mban Berishën në të njëjtin cilësim që u mendua se do ta largonte, por në fakt e riktheu atë në politikë.

Sipas asaj që shkruan Komisioni i Apelit, në bazë të vendimmarrjes janë “raportime të brendshme” në Shqipëri, që me gjasë janë shkrime të mediave dhe raporte ndërkombëtare. Një ndër shkaqet kryesore të shpalljes non grata, sipas autoriteteve britanike është korrupsioni i përhapur gjatë qeverisjes së para vitit 2013.

Përmendet aty çështja e Damir Fazliç dhe fakti që ai bleu një sipërfaqe toke në Porto Romano, sipas këshillave të vajzës së ish-kryeministrit, Argita Berishës. “Zoti dhe Zonja Malltezi përfituan shuma financiare kur toka iu shit Fazliçit dhe më vonë tokës iu rrit vlera disa herë, pasi qeveria e Berishës zgjeroi hapësirat e parkut energjitik” thuhet në vendim.

Në rastin e Fazliç, autoritetet britanike citojnë faqen Balkaninsight, pra shkrimet e BIRN. Asokohe Fazliç u hetua për pastrim parash, por siç thonë britanikët duke cituar Balkaninsight, hetimet u zhvilluan nën “presione të forta politike ndaj zyrës së prokurorit nga qeveria dhe (z.Berisha)”“Edhe Departamenti i Shtetit në vitin 2008 doli me të njëjtin konkluzion” citon vendimi.

Përmendet në vendim edhe Fation Dauti, një mbështetës i Sali Berishës që me praninë e tij në ndihmë të Rithemelimit ka dhënë arsye për ta shpallur non grata kreun e opozitës.

Sali Berisha ka pranuar se nuk e njeh personalisht Fation Dautin, personin që u bë i njohur pasi shpërtheu një prej dyerve të zyrave të Partisë Demokratike në dhjetor të vitit 2021.

 

Por edhe pse Berisha thotë se nuk e njeh personalisht, edhe pse Komisioni i Apelit të Emigrimit e merr të mirëqënë këtë fakt, sërish në vendim  arsyetohet se Berisha ka pranuar përfitimet që erdhën nga veprimet Dautit dhe kjo shihet si arsye për ta shpallur non grata.

Fation Dauti ishte një nga mbështetësit e Berishës gjatë konfliktit të brendshëm në PD kundër Bashës. Ai ka qenë i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë në Britaninë e Madhe.

Berisha e atakon vendimin për shpalljen non grata edhe në pohimet përgjithësuese për korrupsionin e përhapur gjatë qeverisjes së tij.

Sipas Berishës, nëse Britania e Madhe e ka sanksionuar “non grata” për shkak të korrupsionit në Shqipëri, atëherë duhet të sanksionojë edhe politikanë të tjerë, si për shembull Edi Ramën, i cili është përgjegjës për korrupsionin e përhapur aktualisht në Shqipëri.

Në tërësi, ankimi i ish-kryeministrit Berisha bazohet në pretendimin se autoritetet britanike nuk e kanë mbështetur në prova dhe fakte vendimin e tyre për ta shpallur non grata. Sipas Berishës, burimet e qeverisë britanike kanë qenë mediat pranë qeverisë Rama, apo të financuara nga fondacionet e Soros.

Zyra e shtypit e Partisë Demokratike shpërndau një deklaratë të Berishës pas përgjigjes që i dha Komisioni i Apelit për Emigrimin. Berisha vë në dukje se si një pjesë e mirë e materialeve që ai dorëzoi nuk u morën në konsideratë nga komisioni, me preteksin se ishin dorëzuar jashtë afatit.

“SIAC (Komisioni Special i Apelit të Emigrimit) gjithashtu pohon në vendimin e tij se nuk ka vlerësuar fare mijëra faqe prova dhe dëshmi të paraqitura nga avokatët e z. Berisha, me pretendimin se janë paraqitur jashtë afati (paragrafi 9). Ndërkohë që ato janë dorëzuar absolutisht brenda afatit, por zyrtarët ligjorë të Home Office nuk ia kanë paraqitur Sekretares të këtij institucioni me qëllim që ajo të mos njihej me përmbajtjen e tyre dhe për rrjedhojë të mos pranoheshin më pas nga SIAC, meqë Sekretarja nuk i kish patur para saj në momentin e marrjes së vendimit (shif paragrafin)” shkruan Berisha.

Mungesa e këtyre fakteve sipas Berishës, tregon se “vendimi i Sekretares është marrë në bazë të artikujve të mediave të sponsorizuar nga Soros dhe deklaratave të kundershtarëve të mi politikë Rama, Basha, Veliaj”.

Kreu i PD përsërit akuzat ndaj diplomatëve lokalë, që i fajëson për shpalljen e tij “non grata”. Në veçanti, ai ka përmendur ambasadorin Alaister King Smith, duke thënë se ai kishte kërkuar prova dhe ishte shprehur në konfidencë se “ne e përjashtuam Berishën, por na duhen prova se ai na ka paditur”.

Vendimi i Komisionit të Apelimit nuk është përfundimtar. Berisha mund ta ankimojë vendimin në një nivel më të lartë të gjyqësorit anglez.

“Procedura e ankimimit parashikonte fillimin e detyrueshëm të saj pranë Komisionit të Posaçëm të Apelimit për Migracionin (SIAC), përpara se palët të shkojnë në gjykatë” ka paralajmëruar Berisha.

Kjo përgjigje e Home Office ishte e pritshme. E kundërta do të kishte qenë surprizë, ndërsa pretendimi i Berishës se për të nuk ka prova është i njëjtë edhe për shpalljen non grata nga Departamenti amerikan i Shtetit. Një proces gjyqësor, Berisha e nisi edhe për sekretarin e shtetit Entoni Blinken, të cilin e paditi në Francë për shpifje.

Nisja e proceseve gjyqësore për provat e shpalljes “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe, e ka ndihmuar Sali Berishën që të krijojë narrativën se sanksionet ndaj tij nuk janë përfundimtare.

Deri tani ia ka dalë të bindë militantët, me ndihmën e të cilëve u rikthye në krye të Partisë Demokratike. Mbetet për t’u parë nëse do të bindë shumicën e votuesve në 2025 për t’u rikthyer në kryeministri./Lapsi.al

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top