Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë akuza të forta ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në tubimin e radhës të kësaj të premteje për mbështetësit poshtë banesës së tij, Berisha tha se opozita nuk do të ndalet nga denoncimet për të derisa ai të largohet nga detyra.
“Edhe një herë, dhe një mijë herë do kërkojmë deri në një ku janë 135 milionë euro të djegësit që nuk ekziston. Ku i ke çuar Erion? Ku i ke fshehur o hajdut? Nuk ta falim ne kurrë këtë më. Jep dorëheqjen, mos luaj me nervat e qytetarëve se në shtyllën e turpit të sheshit “Skënderbej” do varesh dhe me germa të zeza do shkruhet emri yt si hajduti më i madh që ka njohur bashkia në tërë historinë e saj. Kujton se mund të shpëtosh, po si mund të shpëtosh ti o i shpërfytyruar që me ekipin tënd ke prishur më shumë se tërmeti shtëpi dhe pallate vetëm e vetëm për të vjedhur transportin e dherave të tyre” – tha Berisha.
Ish-kryeministri tha se pavarësisht vjedhjeve, Veliaj mbrojet nga kreu i SPAK, Altin Dumani.
“A jeni dëshmitarë ju se ka dy vite që këtë hajdut e denoncojmë në mos çdo ditë, së paku një herë në dy ditë. Po pse? Se këtë hajdut e mbron Dumani. E mbrojnë ata me të cilët ka vjedhur. E mbrojnë ata me të cilët ka ndarë dhjetëra dhe qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë.
Ju bëj një pyetje: A keni dëgjuar ju të konfiskohet një konto bankare e Erion Veliajt? A keni dëgjuar ju të sekuestrohet pallati me 5 yje i Veliajt në Durrës me Mollën? A keni dëgjuar ju të konfiskohet hoteli luksoz në Dhërmi? A keni dëgjuar ju të konfiskohet një pallat nga shumë e shumë të tilla të kompanisë 5D, të ndërtuara me vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje?
Asnjë. Asgjë nuk u preket hajdutëve se ata i mbron Altin Dumani, i cili pasi përmend bashkinë e Tiranës në veprën penale të Arben Ahmetajt 13 herë, nuk guxon të përmendë një herë të vetme emrin e Erion Veliajt, në një kohë kur lëshon urdhër arresti për Tushën, Simixhiun dhe të tjerë. A ka mbrojtje më kriminale se kjo o Daman?” – tha Berisha.