Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin “X” në lidhje me raportin e Reporterëve PA Kufij, të cilët këtë të premte, në ditën e lirisë së shtypit, nënvizuan se Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së medias duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian.
Kryeministri falenderon Reporterët pa Kufij për “raportin e tyre depërtues” dhe thekson se qeveria do ta analizojë atë dhe do të ndërmarrë veprime për të mbrojtur lirinë e informacionit.
“Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot dhe dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre depërtues. Ne do ta analizojmë atë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët përkatëse dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve. Ne jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim globalisht. Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence”, shkroi Rama në “X”.