Mundësi investimi nga rihapja e ankandit të obligacioneve 10-vjeçare

Në 23 prill, Ministria e Financave do të organizojë rihapjen e ankandit të obligacioneve 10-vjeçare. Ankandi do të jetë rihapje e emetimit të datës 24 janar të këtij viti dhe oferta e shpallur e obligacioneve ka vlerën e 3 miliardë lekëve. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në ankandin e muajit janar, kuponi dhe yield-i uniform i pranuar i obligacioneve 10-vjeçare arritën në 6.78%, në rritje nga niveli 6.44% i ankandit të mëparshëm.

Nga 4 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 4.77 miliardë lekëve. Ministria e Financave vendosi të rrisë shumën e kërkesave të pranuar në 4.15 miliardë lekë, duke ndikuar edhe në rritjen e yield-it uniform. Në ankandet e obligacioneve, yield-i përcaktohet si uniform me yield-in e këkesës më të lartë të pranuar. Ankandet e obligacioneve më afatgjata, siç janë ato me maturim 10-vjeçar apo 15-vjeçar, janë një alternativë e mirë për investitorët që synojnë të rrisin kthimet e portofolit të tyre.

Këtu përfshihen investitorët institucionalë, si fondet e investimit dhe sidomos ato të pensioneve, por këto instrumente mund të jenë një alternativë joshëse edhe për investitorët e vegjël. Vitin e kaluar yield-et pësuan një korrektim të ndjeshëm në rënie sidomos në segmentin e bonove, çka bëri që edhe interesi i individëve për të investuar të ishte më i ulët.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se për vitin 2023 blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 37.5 miliardë lekë, në rënie me 24.5% krahasuar me vitin 2022. Megjithatë, vlen të thuhet se për titujt e borxhit afatgjatë yield-et kanë shfaqur një tendencë të lehtë në rritje në pjesën e dytë të vitit të kaluar dhe në tremujorin e parë të këtij viti.

Që prej fundit të vitit 2022, Ministria e Financave e ka ulur shumën minimale të pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve në 300 mijë lekë, nga 500 mijë lekë që ishte më parë. Pjesëmarrja në ankandet e obligacioneve mund të bëhet nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga AMF si shoqëri komisionere për investimin në tituj. Bankat e licencuara për këtë shërbim aktualisht janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.

Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand. Kërkesat jokonkurruese pranohen me yield-in mesatar të kërkesave të pranuara konkurruese.

Sipas udhëzimit, shuma e ofruar e obligacioneve ndahet me 20% për kërkesat jokonkurruese dhe 80% për kërkesat konkurruese. Në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese nuk e plotëson masën 20%, atëherë diferenca e paplotësuar ofrohet për kërkesat konkurruese. Në rastin kur shuma totale e kërkesave jokonkurruese e kalon kufirin e përcaktuar të 20%, atëhere mbi këtë shumë zbatohet pro rata (përpjestimi). Në rast se shuma e kërkesave konkurruese të kërkuara nuk e plotëson masën 80%, atëherë diferenca e paplotësuar u ofrohet kërkesave jokonkurruese.

Marrë nga Monitor

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top