Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, që të marrin pjesë në votimet e 21 prillit, kur do të vendoset nëse qytetarët duan të largojnë ose jo katër kryetarët shqiptarë.
Në Klinë më 19 prill, Kurti tha se kryetarët shqiptarë të Zveçanit, Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, nuk mund t’iu merret mandati ndryshe, përpos përmes një procesi demokratik.
“Këta kryetarë mund të dalin nga zyrat, por jo me banda fashiste, që dhunojnë KFOR-in, gazetarët dhe Policinë e Kosovës. Me zgjedhje hyhet në zyre. Nuk hyhet në zyre me as me bomba, as me granata dhe as me armë të tjera, me të cilat janë sulmuar personeli i sigurisë dhe gazetarët në komunat veriore”, tha Kurti. “Njëzet e një prilli është shansi dhe unë i ftoj të gjithë qytetarët në veri, pa dallim etnie, moshe e gjinie që të dalin e të votojnë më 21 prill për t’ua ndërprerë këtyre katër kryetarëve mandatin, ata që mendojnë se nuk kanë qeverisur mirë, apo mendojnë se ka njerëz më të mirë që një orë e më parë duhet të jenë në ato zyra. Por, gjithçka duhet me proces demokratik ligjor, e jo me bandat e dhunshme që rrethojnë ndërtesat e komunave. Ashtu, nuk mund të hysh në zyra”, shtoi ai.
Kryeministri kosovar tha se Qeveria e Kosovës jep garanci që nëse qytetarët vendosin të shkarkojnë kryetarët aktualë, ai vendim do të zbatohet “në plotni dhe në shpejtësi”. Hapi që të votohet për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave në veri është marrë bazuar në një udhëzim administrativ të Qeverisë së Kosovës, që i ka hapur rrugën largimit të një kryetari nga pozita që mban. Sipas udhëzimit të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Aktualisht në krye të komunave veriore janë katër shqiptarë, të cilët i kanë fituar zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar, të bojkotuara nga Lista Serbe dhe një pjesë e serbëve lokalë. Marrja e mandatit nga kryetarët shqiptarë ngriti tensionet në veri, duke nxitur bashkësinë ndërkombëtare që t’i kërkojë Kosovës mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – u ka bërë thirrje serbëve që të bojkotojnë edhe votimet e 21 prillit.