Askush nuk fiton, e kur dy grinden zakonisht një i tretë fiton. Erzeni dhe Laçi kanë ndarë pikët në ndeshjen e parë të fazës së katërt të kampionatit dhe mund të përfitojë Teuta për të parakaluar edhe kurbinasit, duke i lënë bardhezinjve zonën playout. Asnjë fitore për Armando Cungun që kur është ulur në pankinë dhe tani mbijetesa është kthyer në shpëtimin e sezonit.
Deliallisi e kishte të qartë se për të kapërcyer situatën duhej një fitore, kundër skuadrës që përfaqësonte zonën e shpëtimit në renditje. Erzeni vuajti të organizohej, duke gjetur kundërshtinë e Laçit, që e ktheu në një ndeshje të luftuar sidomos në kontrastet për topin e parë. Melo humbi mundësinë për të goditur në minutën e 6′, gaboi shënjestrën në të 8′, ndërsa Bajramaj pa t’i evitohej goli nga ndërhyrja e Sadikut në të 13′. Laçi shtyu përpara dhe krijoi raste me Soboëale, Manellarin e Myrtan, pa mundur dot portierin Hasanbelli.
Në pjesën e dytë, me kujdesin për të mos u ndëshkuar, Erzeni e Laçi kërkonin sulme sporadike me Migone që siluroi portën kurbinase duke gjetur gati Dajsinanin e me Ujkën që nuk bëri dot protagonistin përballë portierit shijakas. Gjithcka u mbyll me një 0-0 që kënaq mbi të gjitha Teutën. Faza e katërt nis me një pikë që nuk shërben shumë për aktorët e fushës. Erzeni mbetet në vendin e nëntë me 27 pikë, një pas Teutës. Laçi mbetet i shtati me 31 pikë, në rrezik serioz me durrsajët që kanë tre pikë më pak, por edhe dy ndeshje më pak të luajtura.