I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
“Unë i kërkova kryeministrit ta pezullojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, ka deklaruar Escobar.
Radio Evropa e Lirë: Zotëri Escobar, faleminderit që po flisni për Radion Evropa e Lirë këtu në Prishtinë, në fund të vizitës suaj në Kosovë.
Para se të udhëtonit për në Kosovë, ju thatë se fokusi i vizitës do të ishte në një zgjidhje të mundshme për, siç thatë ju, vendimin e pakoordinuar për ta ndaluar dinarin serb. Mbrëmë, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, ju tingëlluat paksa optimist lidhur me atë takim. Thatë se e kishit një diskutim të mirë, të hapur, ku kryeministri Kurti tha se ai do t’i shqyrtonte disa propozime që ju ia dhatë. A keni marrë ndonjë përgjigje nga kryeministri?
Gabriel Escobar: Kemi, por më lini të ju tregoj pse kjo është e rëndësishme. Shtetet e Bashkuara janë shumë të përkushtuara për t’u siguruar që Kosova mbetet një demokraci civile multi-etnike dhe, për të ndodhur kjo gjë, të gjitha komunitetet etnike duhet të ndihen të sigurta dhe të jetojnë në kushte sigurie dhe dinjiteti. Çfarë po ndodh tani me vendimin e Bankës Qendrore është se ka shumë qytetarë tuaj që po ndiejnë shumë dhimbje, njerëz që nuk po i marrin pagat modeste. Ne po flasim për [persona] me aftësi të kufizuara, të pensionuar, studentë, njerëzit më të cenueshëm dhe ky vendim i ka prekur ata shumë thellësisht. Tani, Qeveria ka thënë se ka shumë opsione për ta, por Qeveria nuk ua ka ofruar atyre një opsion. Qeveria ka thënë se opsioni… [se] ata e kanë vetë përgjegjësinë për ta bërë këtë dhe shumë njerëz janë duke e pasur të vështirë.
Disa nga njerëzit më të moshuar nuk i kanë dokumentet e duhura. Disa nga njerëzit më të rinj… dokumentet e tyre nuk po pranohen. Disa nga bankat po thonë se duhet mesatarisht një orë për ta hapur një llogari. Jo të gjithë kanë llogari. Vetë bankat, pavarësisht se çfarë thotë Ministria juaj e Financave… vetë bankat thonë se atyre iu duhen mes 30 dhe 40 mijë llogarive, me secilën llogari që merr nga një orë. Kjo është 40 mijë orë të kohës së stafit. Duke konsideruar se njeriu mesatar punon mes 1.000 dhe 1.500 orë në vit, imagjinoni se sa gjatë do të duhet për t’i hapur këto llogari.
Kështu që, ky veprim, i cili është i pakoordinuar dhe që ka krijuar përçarje, është duke krijuar vështirësi reale për qytetarët, disa nga qytetarët e Kosovës. Tani, për njerëzit që nuk marrin ndihma sociale nga Serbia, ata nuk po e vërejnë se sa shumë po ndikon te disa. Për ata që punojnë me euro dhe ata që paguhen në mënyra të tjera, ata nuk e kuptojnë se ka njerëz në mesin tuaj që po vuajnë.
Kështu që ishte mirë që kryeministri e pranoi se ka njerëz që po vuajnë. Por, kjo nuk mjafton. Na duhet një zgjidhje. Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë.
Radio Evropa e Lirë: Ky është lajmi i fundit nga kryeministri?
Gabriel Escobar: Ky është lajmi i fundit.
Radio Evropa e Lirë: Sot?
Gabriel Escobar: Unë ende jam duke shpresuar që, derisa kryenegociatorët do të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz.
Radio Evropa e Lirë: Cilët janë hapat e radhës ose cili ishte arsyetimi që morët nga kryeministri?
Gabriel Escobar: Epo, kryeministri tha se ky është një vendim i një institucioni të pavarur, në të cilin ai nuk dëshiron të përfshihet. Ose që kjo është një telash për njerëzit që mund të tejkalohet lehtësisht ose që mund të zëvendësohet me pagesa nga Qeveria e Kosovës. Por, asnjëra nga këto nuk do të ndodhin shpejt. Për këtë arsye ne po kërkojnë shtyrje të zbatimit. Tani, unë e kuptoj normalisht që një Bankë Qendrore dhe Ministria e Financave e bëjnë më të mirën e tyre për të mos krijuar jostabilitet dhe paparashikueshmëri në ekonomi. Ata e bënë pikërisht këtë gjë.
Tani ka disa jashtë që besojnë që kjo u bë për t’i ndëshkuar serbët. Unë nuk e besoj këtë. Por, unë besoj që – meqë kjo Qeveria e Vetëvendosjes nuk ka një histori të gjatë qeverisjeje – nganjëherë ka njerëz që nuk i mendojnë pasojat deri në fund. Dhe, unë mendoj që kjo është pse unë e karakterizova këtë në Bruksel si paksa jokompetencë, sepse kur flasim për pasojat e padëshirueshme, të gjithë e kuptuan se ka pasoja të padëshirueshme. Por, këto mund të ishin parashikuar dhe do të ishin parashikuar nëse nuk do të ishte [veprim] i pakoordinuar.
QUINT-i ka shumë përvojë në konvertimin e monedhave, duke kaluar nga një monedhë në euro, por iu desh shumë kohë. Ne kishim vetëm pesë javë.
“Ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje”
Radio Evropa e Lirë: Pse vendosi kryeministri të vazhdojë me këtë ndalim duke e ditur se kjo çështje mund të ishte zgjidhur përmes Asociacionit?
Gabriel Escobar: Epo, kjo është një pyetje për të, por është e vërtetë. Ajo që ne nuk duam të bëjmë, është ta minojmë potencialin e Asociacionit, që është ende shumë i rëndësishëm. Është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Do të flasim për këtë më vonë. Por, si ndiheni si zyrtar i SHBA-së që refuzoheni nga kryeministri?
Gabriel Escobar: Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve.
Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale. Dhe, mendoj se këtu jemi tani… po hyjmë në një periudhë të mungesës së komunikimit. Dhe ne, të paktën nga pala amerikane, po bëjmë gjithçka që mundemi për të riparuar këtë marrëdhënie.
Radio Evropa e Lirë: Ky vendim i sotshëm, si do të ndikojë në komunikimin, partneritetin, marrëdhënien që SHBA-ja ka me Kosovën?
Gabriel Escobar: Epo, ju e dini, marrëdhëniet tona bazohen, pothuajse gjithmonë, jo vetëm në interesa të përbashkëta, por në vlera të përbashkëta. Dhe, një nga ato vlera të përbashkëta është përkushtimi ndaj të drejtave të njeriut. Pra, fakti që Qeveria më pro-Kosovës në botë dhe Qeveria më pro-amerikane në botë, pra Shtetet e Bashkuara dhe Kosova, po e kanë këtë vështirësi, nuk është për shkak të politikave tona ndaj Rusisë apo Ukrainës apo Kinës, është për shkak të trajtimit të minoriteteve. Pra, kjo duhet të jetë një thirrje zgjimi për kryeministrin dhe Qeverinë e tij se ku po shkon kjo marrëdhënie.
Radio Evropa e Lirë: A do ta konsideroni [vendosjen e] ndonjë masë ndaj Kosovës për shkak të kësaj?
Gabriel Escobar: Jo… Dua të them, fakti është që ne po përpiqemi ta ndihmojmë atë të kujdeset për qytetarët e tij. Dua të them se jemi pothuajse në një pikë ku po përpiqemi shumë të punojmë me të.
Tani, pyetja nuk është nëse do të ketë masa, por padyshim ka pasoja. Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës me askënd administratën amerikane. Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia.
Radio Evropa e Lirë: A prisni që, të martën, Kosova megjithatë do ta rimendojë këtë? Më parë Kosova thoshte se nuk do ta çojë këtë çështje në Bruksel. Tani, mbrëmë, na thatë se të martën do të ketë dialog [takim] në nivelin e kryenegociatorëve. Së pari, bazuar në informacionet tuaja, a do të jetë dinari pjesë e diskutimit?
Gabriel Escobar: Po, po, absolutisht. Do të jetë. Dhe, kështu…. shikoni, duke u bazuar në takimet e mia të djeshme, unë sigurisht që shpresoj që ata do ta rishikojnë tani. Kjo nuk është një pyetje, nuk është një çështje politike. Ne duam ta bëjmë përpara se të bëhet një çështje humanitare. Pra, ka një rrugë përpara. Pra, ne pajtohemi me pagesat elektronike, ne pajtohemi me euron dhe jemi dakord me një zgjidhje afatgjatë që ju ofron transparencë dhe kapacitet për të luftuar pastrimin e parave dhe format e tjera të transfereve të paligjshme. Por, kjo duhet të bëhet siç duhet, [në mënyrë] të koordinuar dhe në atë mënyrë që të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.
Radio Evropa e Lirë: A mundet ky vendim… apo nëse Kosova nuk tërhiqet, a mund të ndikojë kjo edhe në mbështetjen e SHBA-së për sigurinë e Kosovës, siç është marrja e Javelinëve?
Gabriel Escobar: Unë nuk mendoj ashtu. Unë do t’ju them që mbështetja jonë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë e Kosovës është e fortë. Tani pyetja se si ta trajtojmë këtë, do të jetë brenda sferës politike, por kjo nuk do të ndikojë në angazhimin tonë ndaj Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Një gjë e mirë që ndodhi këtë javë – të paktën QUINT-i e ka mirëpritur – është vendimi për Manastirin e Deçanit. Sa do të jetë vendimtar në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës?
Gabriel Escobar: Epo, shikoni, është shumë pozitive. Është shumë e rëndësishme. Dhe, nuk ka të bëjë vetëm me Manastirin, megjithëse pjesërisht është, por ka të bëjë me përkushtimin ndaj sundimit të ligjit. Tani ju keni një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në shoqëritë e pjekura demokratike, një vendim i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar. Dhe, kështu që duhej të zbatohej. Ishte një vendim i vështirë, por duhej bërë.
Pra, Kosova tani po tregon që ka pjekurinë për t’i pranuar rezultatet e një vendimi kushtetues, sado jopopullor të jetë. Por, është gjëja e duhur për t’u bërë sepse është gjëja ligjore që duhet bërë. Kështu që, do të ketë një efekt.
Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni./Radio Europa e Lirë