Ka mënyra e mënyra për t’u larguar dhe ajo e zgjedhur nga Thomas Tuchel, pasi Bayern vendosi ta shkarkojë, por ta mbajë deri në fund të sezonit, nuk është më e mira. Sigurisht që si justifikim për trajnerin është fakti që ai gjendet në situatën e dikujt që pasi është lënë nga partneri, apo partnerja, detyrohet të bashkëjetojë edhe disa muaj me të. Një fjali e gabuar, e diktuar nga inati, edhe mund të shpëtojë nga goja. Diçka si, “Tani të gjithë mund t’ia dërgoni kartëvizitën tuaj teknikut të ardhshëm”, ose “jeni ju përgjegjësit që tani e tutje”. Kjo është ajo që i ka thënë Tuchel skuadrës pas lajmit për lamtumirën e tij në fund të sezonit, siç raporton ‘Bild’, gazeta e njohur gjermane.
Jo tamam një klimë idilike. Gjithmonë mbetet pyetja se pse zgjodhën të ndajnë rrugët dhe më pas të vazhdojnë në mënyrë të përkohshme. Marrëdhënia e stuhishme mes trajnerit dhe skuadrës është arsyeja kryesore pse gjërat nuk shkuan mirë në sezonin e kampionëve gjermanë në fuqi. Fakti që dhoma e zhveshjes dhe Tuchel duhet të vazhdojnë së bashku deri në qershor është një lajm i shkëlqyer për Lazio, që shpreson të dalë i padëmtuar nga Allianz Arena në ndeshjen e kthimit të 1/8 të Champions dhe për Bayer Leverkusen, që janë +8 nga bavarezët në Bundesligë.
PRIORITET E BAYERN
E, pikërisht duke folur për Bayer, trajneri i tij Xabi Alonso është zgjedhja e parë për pankinën e Bayern sezonin e ardhshëm. Në rast se trajneri spanjoll vendos për zgjidhje të tjera si Liverpool, plani b do të ishte De Zerbi, aktualisht i kërkuar nga gjysma e Evropës. Megjithatë, prioriteti i Bayern për momentin është të përfundojë me dinjitet një sezon, i cili mund të kthehet nga i vështirë në më të pasuksesshmin në dekadat e fundit.