Orët e paradites do të paraqiten nën ndikimin e vranësirave dhe intervaleve të shkurtra me kthjellime, ku më të dendura vranësirat do të jenë në zonat Jugore dhe Juglindore të territorit. Parashikohet që orët e pasdites të sjellin zhvillim të vranësirave duke rrezikuar shira në të gjithë vendin por më të dukshme shirat do të jenë në Jug dhe Juglindje, ku priten rrebeshe afat-shkurtra shiu me shkarkesa elektrike.
Kjo paqëndrueshmeri atmosferike do të na shoqërojë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 5°C vlera më e ulët e shënuar në qytetin e Peshkopisë deri në 23°C vlera më e lartë e cila pritet në Elbasan.
Era do të fryjë mesatare gjatë paradites por forcohet pasdite duke arritur shpejtësinë mbi 55 km/h nga drejtimi permanent Jugor; kjo do të bëjë që në brigjet detare të gjenerohet dallgëzim 5 ballë.
Kosova
Deri në mesditë Republika e Kosovës paraqitet nën ndikimin e vranësirave të dendura dhe kthjellimeve të shkurta, ku më të theksuara vranësirat do të paraqiten në zonat Jugore dhe Jugperëndimore të Kosovës. Pjesa e dytë e ditës do të zhvillojë më tej vranësirat duke gjeneruar rrebeshe afatshkurtra shiu në të gjithë territorin e Kosovës, situatë e cila do të vijojë edhe gjatë natës. Për sa i përket temperaturave të ajrit do të ulen lehtë si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 4°C vlera më e ulët në Ferizaj deri në 19°C vlera më e lartë që pritet në Prizrenit dhe Gjakovës. Era do të fryjë mesatare gjatë orëve të paradites por deri e fortë pasdite duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 50 km/h nga drejtimi permanent Jugor.
Maqedonia e Veriut
Republika e MV do të karakterizohet nga dominimi i vranësirave të dendura dhe intervaleve të shkurta me kthjellime por pasmesditës pritet grumbullim i vranësirave duke gjeneruar shira në të gjithë territorin e MV, herë pas here shirat do të jenë në formë shtrëngate. Po ashtu edhe pasditja do të vijojë me kushte të paqëndrueshme atmosferike duke bërë që rrebeshet e shiut si edhe mini stuhitë e erës të jenë prezente përgjatë gjithë 24 orëshit. Ndërkohë temperaturat e ajrit do të ulen në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 4°C vlera më e ulët e shënuar në qytetin e Kumanovës deri në 19°C vlera më e lartë e cila do të regjistrohet në qytetin e Manastirit. ERA do të fryjë e fortë përgjatë gjithë ditës, me shpejtësi maksimale mbi 55 km/h nga drejtimi Jugor dhe Juglindor.
Europa
Do të vijojnë shirat me intensitet të lartë si edhe mini stuhi ere në ishujt Britanikë dhe rajonin e Balltikut, si pasojë e zhvillimit të një qendre të fuqishme ciklonare mbi keto rajone. Po ashtu moti i paqëndrueshëm do të mbetet dominant në Europën Qendrore dhe gadishullin e Ballkanit duke sjellë rrebeshe shiu si edhe stuhi të forta ere ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit Europian do të paraqitet nën ndikimin e motit të kthjellët dhe relativisht të ngrohtë përjashtuar Europën Lindore, ku moti do të jetë i kthjellët por i ftohtë me temperatura të ulëta deri në -7 gradë Celcius.