I entuziasmuar shumë nga vizita e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, është edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ai thotë se këtë vizitë e shikon si një të ardhme të ndritur për Shqipërinë teksa falënderon SHBA për reformën në drejtësi e jo vetëm. Më poshtë mesazhi i plotë i Bajram Begajt, i cili ndonëse e zhvilloi i pari takimin me kryediplomatin amerikan, nuk guxoi ta publikonte përpara se Blinken të takohej me Edi Ramën. Kuptohet, kreu ynë i shtetit ka një sens të lartë devotshmërie gati në kufijtë e nënshtrimit ndaj kryeministrit Edi Rama.
Kjo është një vizitë shumë e rëndësishme dhe dëshmon se partneriteti ynë strategjik është më i fortë se kurrë. Kjo vizitë është një mesazh i fortë në mbështetje të shqiptarëve, politikës tonë jashtme dhe të ardhmes së Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE.
Ne jemi mirënjohës për atë që po bëni për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin. Jemi falënderues për atë që SHBA kanë bërë dhe ju po bëni për demokracinë shqiptare, sundimin e ligjit, veçanërisht reformën në drejtësi, mbrojtjen, sigurinë dhe sigurinë kibernetike, arsimimin dhe ekonominë përmes programeve të ndryshme mbështetëse.
Shqipëria dhe SHBA kanë qenë së bashku në mbështetje të Ukrainës si aleatë në NATO, duke kontribuar në misione në Afganistan dhe Irak.
Shqipëria është e përkushtuar të vazhdojë të kontribuojë së bashku me SHBA dhe NATO për sigurinë rajonale dhe globale. Unë e shoh këtë vizitë si një të ardhme të ndritur për Shqipërinë, partneritetin tonë strategjik që do të zgjasë për më shumë se 100 vite të tjera.