Pyetjen për kritikat e Edi Ramës në asamblenë e Partisë Socialiste Erjon Veliajn e priti me një buzëqeshje të vizatuar në fytyrë gjatë një interviste për News24. Duket sikur për Veliajn nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Madje, kryetari i Bashkisë që disa ditë më parë ankohej se vartësit e tij nuk firmosin më nga frika e SPAK, i shoqëroi kritikat e Ramës me kunja për gazetarët që raportuan lajmet nga zhvillimet në mbledhjen e asamblesë së Partisë Socialiste.
“Sa herë që kemi takime të tilla, të gjitha portalet e opozitës, argëtohen me çështje të tilla. Janë të njëjtat portale që kur mbarojnë zgjedhjet thonë: Si humbën në një mënyrë kaq të tmerrshme? Kështu që unë dua t’i lë ta shijojnë fantazinë e tyre. Nuk kemi asnjë konflikt. E di që ata luten përditë që të ketë një konflikt. Por nuk ka. Unë dhe kryeministri jemi gjithashtu kritikë të një pune që ne mund të bëjmë më mirë. Në disa zona kemi mundësi të çojmë disa njerëz që janë edhe më të zhdërvjellët. Që mund të jenë akoma më shumë të aftë në organizimin e partisë. Që mund të jenë akoma më shumë komunikues kështu që në disa pika të dobëta në qark, praktikisht ankesa e portaleve të opozitës është pse ne fitojmë 8 me 0 dhe nuk fitojmë 8 me 2. Unë besoj që edhe 8 me 2 është rëndë për ta. Do të sigurohemi që të fitojmë edhe më thellë. Dhe fakti që të gjithë portalet e Zenit dhe të Saliut janë shumë të shqetësuar se sa e thellë do të jetë fitorja jonë është në thelb një kompliment. Kështu që unë do të sigurohem që t’ua plotësoj këtë kërkesë lapsave, stilolapsave, syrave, ciklopave të gjithë këtyre, kësaj rrace që jeton duke u lutur ditë natë dhe i ka bërë gjunjët me kallo që të ketë një konflikt. Nuk ka mungesë dakortësie, përkundrazi ka një zell se si mund ta çojmë fitoren më të thellë” ka thënë Veliaj që ka kujtuar rezultatet fituese në Vorë, në Kamëz dhe në Rrogozhinë.
Në fakt, asnjë media kritike me Veliajn nuk vuri në dyshim rezultatet fituese të tij në zgjedhjet e kaluara, ku ai vërtet ka pasur një rezultat shumë të mirë. Në shkrimin e Lapsi.al me titull “Rama godet Erion Veliajn: “Je bërë si OJF” vihej theksi tek rrethanat në të cilat bëhen kritikat e kryeministrit.
Lapsi.al raportoi se kritika e Ramës për Veliajn, nuk ka të bëjë realisht me rezultatet e tij në zgjedhje, që siç e pranon kryebashkiaku kanë qenë pozitive. Në realitet ato mund të jenë sinjale, ose “një shenjë se Rama po e shet atë për llogari të SPAK-ut, ashtu sikurse bëri me Ahmetajn, Bllakon apo Kokën”.
Si Lefter Koka, ashtu edhe Arben Ahmetaj në një mënyrë apo tjetër u paralajmëruan nga Rama për goditjen që do t’i vinte nga SPAK. I pari pranoi të dorëzojë mandatin dhe të bëjë burg. I dyti refuzoi të binte viktimë dhe u arratis duke denoncuar lojën e Ramës me SPAK.
A do të ketë Veliaj fatin e këtyre? Ndoshta jo! Por mirë është që të mos i nënvlerësojë luhatjet e humorit të Edi Ramës siç bëri në intervistën e sotme, sepse ky do ishte një gabim i pafalshëm.