Të dëmtuar nga prerjet e paligjshme dhe zjarret/ Shumica e bashkive nuk kanë një plan për menaxhimin e pyjeve

Një grup vullnetarësh të Federatës së Pyjeve, Organizatës SNVP, Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Shkollës Pyjore janë përfshirë në pyllëzimin e kodrave të degraduara në zonën “Ana Malit”, pranë vijës kufitare të Shqipërisë me Malin e Zi.

Njësia administrative “Ana Malit” administron 770 hektarë me pyje, por pjesa më e madhe e tyre, u dëmtuan nga prerjet e paligjshme dhe zjarret pas vitit 1990. Drejtuesi Federatës së Pyjeve për Shkodrën, Sokol Guri, thotë se po punohet për përmirësimin e gjendjes se kësaj zone pyjore.

“Sipërfaqja e pyjeve, që kanë probleme, është shumë e konsiderueshme. Ne po bëjmë një model, i cili përcjell disa lloje pemësh që mund t’i mbjellim duke filluar me selvinë, e cila është faktor për luftën kundër zjarreve, me pishën e egër, dafinën, ullirin, për të parë ecurinë e tyre për një vazhdimësi”, thotë ai.

Shqipëria ka shpallur vitin 2024 si “Viti Pyjeve” duke synuar rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të bashkive dhe komuniteteve lokale për mirëmenaxhimin dhe mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare, por edhe mjedisit.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, fondi pyjor dhe kullosor i Shqipërisë shtrihet në një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 1.732 mijë hektarë, duke përfaqësuar 60,2 % të gjithë sipërfaqes së vendit.

Mark Vata, që drejton shoqatën e pyje-kullotave në zonën “Ana Malit” thotë se gjatë 5 viteve të fundit është rritur shkalla e ndërgjegjësimit të banorëve për mbrojtjen e pyjeve, por ai shton se emigracioni po ndikon edhe në këtë sektor.

Vëllimi i përgjithshëm i pyjeve në Shqipëri vlerësohet në rreth 54.063.000 m3, nga të cilat 94 % përbëhet nga pyjet publike dhe vetem 6 % nga pyjet private.

Por menaxhimi i pyjeve publike nga bashkitë, në pjesën më të madhe të tyre, është thuajse i pamundur për shkak të mungesës së fondeve dhe kapaciteteve të pakta, materiale dhe njerëzore, që ato kanë. Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, pjesa më e madhe e bashkive, 33 nga 61 bashkitë e vendit, nuk kanë ende asnjë plan mbarështimi dhe investimi në pyjet që menaxhojnë.

“Faktikisht, kalimi në pronësi të njësive administrative të bashkive ishte ndoshta momenti i duhur sepse pylli duhet të shkojë më afër me njerëzit, por strukturat nëpër bashkitë nuk kanë qenë të duhurat.

Kohët e fundit disa bashki kanë filluar tëndërtojnë strukturat, kanë filluar të marrin staf, por stafet e tyre nuk janë të plota 100%. Ka nevoja për staf teknik . Shkolla Pyjore duhet të ketë më shumë nxënës që të nxjerrin mjaftueshëm teknikë të pyjeve, që të punësohen nëpër bashkitë. Bashkitë nuk e plotësojnë numrin e ekspertëve për pyjet”.

Në vitin 2016 Shqipëria shpalli moratoriumin 10 vjeçar të pyjeve, duke synuar të reduktojë ndërhyrjet mbi fondin pyjor, të degraduar si pasojë e mbishfrytëzimit dhe dëmtimeve të tjera.

Pas tetë vitesh, moratoriumi ka arritur të frenojë zvogëlimin e fondit pyjor, megjithatë nuk janë përmirësuar kapacitetet për shuarjen e zjarreve thuajse të përvitshëm, ndalimin e plotë të prerjeve të paligjshme si dhe fondet për investimet e nevojshme në zonat e degraduara nga erozioni, prerjet dhe zjarret./VOA

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top