Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë sot seancën, ku po shqyrtohet kërkesa e 30 deputetëve të opozitës kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët, të cilët e konsiderojnë anti-kushtetuese.
Shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, i cili ishte parashikuar që të zhvillohej më 24 janar, u shty, pasi në datën 23 janar, deputetët e opozitës dorëzuan kërkesën edhe për disa prova shtesë lidhur me marrëveshjen.
Ndërsa më datë 18 janar, kur edhe u zhvillua seanca e dytë, pas marrjes në shqyrtim me 13 dhjetor, seanca me dyer të mbyllura në Gjykatën Kushtetuese u shty pasi ‘Kushtetuesja’ i kërkoi qeverisë si provë Traktatin e Miqësisë me Italinë në vitin 1995.
Nga ana tjetër Dhoma e Deputetëve në parlamentin italian i dha dritën jeshile marrëveshjes. Me 155 vota pro dhe 115 kundër deputetët italianë kaluan projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërsa fjala e fundit për ratifikim do t’i takojë Senatit.