Giorgio Chiellini pranoi se i kishte bërtitur ‘Kiricocho’ përpara penalltisë së ekzekutuar nga Saka dhe të shpëtuar nga Donnarumma në finalen e Kampionatit Evropian 2020 midis Italisë dhe Anglisë. E kapiteni i Interit, Lautaro Martinez, kishte përdorur gjithashtu ndihmën e mallkimit ‘Kiricocho’ për të bërë sulmuesin e Veronës të gabonte nga pika e bardhë në kohën shtesë të ndeshjes në San Siro.
MARTINEZ, I BESOI MALLKIMIT TË “KIRICOCHO”
Përballja e zikaltërve kundër verdhebluve fundjavën e kaluar u përfshi në kaos në minutat e fundit. Por sapo rrëmuja u qetësua, ishin të besuarit e Simone Inzaghi ata që dolën fitimtarë 2-1. E sipas La Gazzetta dello Sport, Lautaro mund të ketë pasur një rol për të luajtur teksa u përpoq të ndikonte Henry, ndërsa ai po përgatitej të godiste nga pika e bardhë.
Lautaro i kishte dhënë epërsinë skuadrës së tij në pjesën e parë, por Henry erdhi nga pankina për të shënuar golin e barazimit në pjesën e dytë. Inter nisi një ofensivë të vonë dhe përfundimisht shënoi golin e fitores me Davide Frattesi në shtesë. Por kishte akoma kohë për surpriza sepse arbitri Michele Fabbri i dha Veronës një penallti pas rishikimit në VAR.
Por ndërsa Henry shpresonte të vuloste veten si heroi i fundit i Veronës, ai humbi një shans të artë për t’i dhënë skuadrës së tij një pikë të vlefshme në San Siro. Francezi e dërgoi Yann Sommer në krahun e kundërt, por goditi shtyllën. Sipas asaj që mësohet, duke parë kamerat, kapiteni i Inter bërtiti “Kiricocho”, që është një ters i famshëm në Argjentinë.
KUSH ISHTE ‘KIRICOCHO’
‘Kiricocho’ ishte pseudonimi i një tifozi të Estudiantes, skuadra nga La Plata e Argjentinës. Ai është i famshëm për fatin e keq që i sillte skuadrës së tij kur shkonte në stadium. Aq sa trajneri i atëhershëm i Estudiantes, Carlos Bilardo, e dërgoi atë të ndiqte skuadrat kundërshtare. Rezultati? Estudiantes pa atë në stadium, fitoi titullin…