Franz Beckenbauer, legjenda e futbollit gjerman e ndërkombëtar, u nda nga jeta në moshën 78 vjeçare. Lajmin e ka zyrtarizuar familja e ish-kampionit, si ka bërë të ditur transmetuesi gjerman ARD.
Bota e futbollit humb një tjetër ikonë të papërsëritshme të tij. Në moshën 78-vjeçare është ndarë nga jeta ish-lojtari dhe trajneri gjerman Franz Beckenbauer. Kaizeri, konsiderohej si mbrojtësi më i mirë i të gjitha kohërave. Familja e tij njoftoi vdekjen e tij sot, edhe pse Beckenbauer ishte ndarë nga jeta 24 orë më parë: “Me pikëllim të thellë njoftojmë se bashkëshorti im dhe babai ynë, Franz Beckenbauer, vdiq i qetë në gjumë dje, të dielën, i rrethuar nga familja e tij. Ne ju kërkojmë që të jemi në gjendje të qajmë në heshtje dhe të evitoni bërjen e pyetjeve.”
Gjermania i thotë kështu lamtumirë futbollistit të saj më të madh dhe figurës ikonike. Kaizeri, siç quhej ai, ishte kampion bote si lojtar në vitin 1974 dhe si trajner në vitin 1990. Në nivel individual ai fitoi Topin e Artë dy herë, në vitet 1972 dhe 1976, duke u bërë mbrojtësi i parë që iu dha çmimi i lakmuar dy herë. Beckenbauer ishte një shtyllë e Bayern Munich (ai gjithashtu ishte president i tij), një ekip në të cilin luajti pjesën më të madhe të karrierës së tij. Ai e mbajti veshur fanellën e Bayern nga 1964 deri në 1977, duke fituar katër Kupa të Gjermanisë, katër kampionate, një Kupë Kupash, tre Kupa Kampionesh dhe një Kupë Ndërkontinentale.
Vitet e fundit shëndeti i tij ishte përkeqësuar papritur për shkak të një infarkti okular dhe disa operacioneve në zemër. Përveç kësaj, ai vuante nga sëmundja e Parkinsonit, të shoqëruar nga demenca, që e bëri të vuajë shumë kohët e fundit, sipas Bild.