Prof. Dr. BAJRAM XHAFA: Flamur Buçpapaj, prijësi i studentëve në Shkodër, në levizjes antikomuniste të Universitetit të Shkodrës, 13 dhjetor 1990

33 vjet nga Levizja Studentore Antikomuniste ne Universitetin e Shkodres

13 dhjetori i levizjes antikomuniste të Universitetit të Shkodrës
13 Dhjetori është i Shkodrës, lidhet me Shkodrën, me fillimet e demokracisë; është i Lëvizjes Studentore të Institutit të Lartë Pedagogjik të këtij qyteti të drejtuar nga studenti i Historisë Flamur Buçpapaj, si dhe i shkodranëve antikomunistë. Nuk ka dyshim se ajo ka lidhje me ngjarjet e dhjetorit në Tiranë, me mitingun e madh në qytetin Studenti që solli edhe shpalljen e pluralizmit politik. Sa herë vjen kjo datë, një peng nderi e borxhi, përgjegjësie moralo-qytetare, e, edhe profesionale më vë para vetkritikës për një punë të pakryer: hedhja në letër e disa prej kujtimeve për 13 dhjetorin e 1990-s, të asaj date ku kam qenë jo vetëm dëshmitar okular, por edhe protagonist. Eshtë thirrje për të kujtuar, për të mos harruar, thirrje për refleksion. Çdo fillim është mbresëlënës, por kur fillimi është i MADH, kur ai shënon një kthesë historike për popullin e për kombin, puna është tjetërsoj, ai (Fillim) bëhet pjesë e një epoke.
Në foto: Flamur Buçpapaj lideri studentor i Universitetit të Shkodrës
Dhjetori i 1990-s është më shumë se gur qosheje në ndërtesën-kështjellë të historisë kombëtare në përgjithësi e të demokracisë shqiptare në veçanti. Vitet rrjedhin e ikin me të shpejtë, si uji. Ndaj dhe regjistrimi i tij është detyrim; ruajtja e kujtesës është trashëgimi, është amanet, është dhe testament. Aq më tepër bëhet urdhëruese po të kemi parasysh se të tjera ngjarje të rënda e dramatike fati historik i kishte rezervuar Shqipërisë sonë sa me e “harrue” atë të kohës së madhe, kryesoren, epokalen, ndarjen nga diktaturura që dukej si e ngrirë, e fosilizuar, me rrënjë të thella, të thuash “përjetësisht”. Në vitet e stuhishme të fillimeve të Lëvizjes demokratike s’pushonim së zbrazuri thesin e mbingarkuar me mbresat për Dhjetorin e ’90-s; për 8 e 13 dhjetorin, teksa shkonim nga një vend në tjetrin për të bërë “zgjimin” demokratik dhe nacional. I tregonim dhe i ritregonim plot zell dhe emocion ndodhitë e atyre ditëve dhe kjo e mbante të freskët edhe kujtesën për ato ngjarje të papërsëritshme. Por si në çdo gjë, koha bën efektin konsumues, gërryes, mbase dhe lodhja, mbase…çdo gjë pëson firo. Verba Volant (fjalët i merr era) ka thënë latini. E shkruara mbetet, përndryshe, fshihet. Sa nuk është krejt vonë, sa ende koha nuk e ka kërrusur kujtesën, vendosa që një pjesë të atyre përshtypjeve t’i hedh në letër, pa pritur në ndonjë aftësim të mëtejshëm letraresk.
Era e ndryshimeve (Wind of Change)
Të hyjmë në temë. Ngjarjet e dhjetorit 1990 në Shkodër nuk qenë të papritura, nuk ranë nga qielli. Erërat e Revolucionit Demokratik Antikomunist përfshinë vrullshëm ish vendet komuniste (revizioniste, siç i quante atëherë propaganda jonë zyrtare) të Evropës Lindore e Qendrore duke shpënë deri në ekzekutim diktatorësh. Aty nga fundi i 1989-s nëpër rrugët e Shkodrës apo në ndonjë kafene dëgjoheshin dy vargjet e para të asaj këngës së njohur të kohës së Rilindjes “se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri”.Më 14 janar 1990 në Shkodër urrejtja shpërtheu hapur. Bëhet përpjekja e parë për heqjen e bustit të Stalinit-një masë e ngjeshur çimentoje me trajtë antropomorfe vendosur në qendër të qytetit.Brahim Bilali nga lagjja Kiras, pjesëmarrës në përpjekjen për rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër kujton disa nga emrat e këtij aksioni: Dedë Kasneci, Flamur Elbasani, Tonin Dema, Gjergj Livadhi, etj. Për këtë veprim “kundërrevolucionar” u thirrën në degën e punëve të brendshme mbi 600 vetë; një pjesë e tyre u thirrën në hetuesi mbi 18 herë dhe kanë marrë dënime që shkonin nga 3-12 vjet burg. Politikë drastike për mbrojtjen e monumenteve si në mesjetën e hershme në kohën e lëvizjes ikonoklaste në Perandorinë Bizantine.Akulli u thye. Më 16 qershor 1990 në Shkodër u zhvillua demonstrata për të vrarët në kufi. Madje kjo u njoh si dita për të vrarët në kufi.Nga të dy komunitetet fetare në Shkodër, ai mysliman dhe ai katolik u krijuan komisione për organizimin e veprimtarive fetare. Me 11 nëntor të jepej mesha për katolikët, ndërsa për myslimanët do të organizohej falja e xhumasë ditën e premte me 16 nëntor. Të dy komunitetet do të merrnin pjesë në veprimtaritë e njëra tjetrës.Mesha e parë pas vitit 1967 e drejtuar nga dom Simon Jubani u organizua më 11 nëntor 1990 në kishën e vogël (kapelë) tek Vorret e Rrmajt.Për myslimanët falja e xhumasë u organizua më 16 nëntor në Xhaminë e Plumbit në lagjen Tabake. Ishte xhamia e vjetër 217 vjeçare, ndërtuar qysh në kohën e Mehmet pashë Plakut (Bushatlliut). Në falje si imam printe Hafiz Sabri Koçi, edhe ky pasi i kishte mbijetuar “brezit të kalitjes revolucionare” në hapsanat komuniste në një proces të gjatë riedukimi.Me shumë entuziazëm, madje me doza të forta euforie u përfshimë dhe nxitëm sa mundëm lëvizjet e para për “ndryshim” – një eufemizëm, sepse Shqipërinë e priste një revolucion edhe më i thellë se ai i vendeve të Lindjes. Shqipëria kishte përpara një revolucionin kombëtar të pa përfunduar, një çështje kombëtare të pazgjidhur, gjë që e kishte mbajtur dhe e mbante peng edhe demokracinë në këtë vend, vend të cilin e kishin tkurrur e copëtuar në mënyrë të përbindshme, tek s’mbahej më, nën nivelin e viabilitetit (aftësisë për të jetuar), flakur tutje në abisalet (hone të thella) të gjeopolitikës. Por kjo është problem tjetër, është objekt studimesh të thelluara të shumë disiplinave: historike, politike, politologjike etj.
ORA E DEMOKRACISE NE ILP SHKODER
Ngjarjet rrokulliseshin me shpejtësi. Të hënën në mëngjes dola në punë, si zakonisht. Kishim mësim. Në katedër atmosferën e shoh të nervozuar. Kolegët si të lëshuar. Nuk po merrnin regjistrat e të niseshin për leksion si zakonisht. – Studentët kanë hyrë në grevë urije. Janë ngujuar tek auditori 1 (A-1) tha njëri, në pritje të reagimit. Bëra një “aaa!” habitore me pamje sikur po më bënte përshtypje. U bë heshtje. Paska mbërritur “epidemia” edhe në institutin tonë mendova, megjithë masat preventive dhe kordonin e fortë sanitar të vendosur. Ndonëse mbaja kontakte edhe me ndonjë nga studentët “rebelë”, për grevën nuk dija gjë. – Ka edhe nga studentët tanë, nga histori-gjeografia, shtoi me një ton “qortues” si për të treguar përgjegjësinë që na binte pse nuk kishim arritur t’i pengonim.Studenti i historisë Flamur Buçpapaj qenka prijësi i tyre, ai Tropojani, tha me qesëndi. Ishte psikoza e zakonshme e prononcimit ndaj “shfaqjeve të huaja” dhe e denoncimit të tyre. Kjo më gëzoi, sepse edhe studentët tanë nuk po qendronin prapa atyre të Universitetit të Tiranës. Në momente kritike e tregojnë veten njerëzit, burrat, grupet, shtresat, klasat, kategoritë, popujt, kombet. Shkollë revolucionare, thashë me vete. Sfida e parë. Të tjerat, më pas.
-Dhe kush, pa, fundërrinat e shkollës, llumi i Institutit, ata më të dobëtit që s’përgatiten e nuk i dëgjon njëherë të diskutojnë në seminare, që kot ua kemi dhënë provimet. Pale më nga ana ideologjike, bornut, më të paformuarit, pikërisht ata futen në grevë urie, antikomunistët eksptremistë si Flamur Buçpapaj, e shokët e tij, tha shefi. Po nuk kanë faj ata, se jemi ne që i kalojmë e u japim shkollën. – Me sa e njoh unë, Flamuri ka një prirje për letërsi a gazetari, madje edhe shkruan, por më duket se është student shumë i mirë pra nuk është student i dobët, perkundrazi.
-Më duket se në grevë ka hyrë edhe Gazmend Shehu, ai nga Peshkopia, që është stundent i mirë, tha kolegu tjetër, si për një të largët. – Pleh është edhe ai, në burg e ka pasur të jatin. E ç’duhen notat e tij? – Historia,… “teorizova” unë nga të vërtetat që i dinim të gjithë, na mëson se revolucionet i bëjnë turmat, por me veprën e tyre objektivisht janë ato që e çojnë përpara shoqërinë duke kryer një mision historik përparimtar pa qenë të ndërgjegjshme edhe vetë për veprën revolucionare që kryejnë. Dhe kjo është një tezë marksiste. Populli, masa është revolucionare e nuk mund të thuash se janë regresive e reaksionare.
Problemi ishte se sa do të bëhemi ne me masat apo kundër masave popullore, lija të kuptohej. Duke e cilësuar aktin e tyre si revolucionar, me këtë deklaratë teorikisht isha në linjë “marksiste”. Parimisht ishte e vështirë t’u bije ndesh këtyre tezave. Njëri nga kolegët shtoi me ton të fortë kritik e alarm të shtirur sikur të ishte bërë hataja e madhe, se me grevistët ishte bashkuar edhe një pedagog i ri i katedrës së matematikës. Ai u paska folur hapur dhe me shumë zjarr studentëve grevistë kundër pushtetit popullor dhe padrejtësive të tij saqë ata e paskan ngritur me duar përmbi kokat e tyre duke thirrur e brohoritur për të. Një Kolin Gjoka nga Lezha, pedagog i ri që sapo kishte ardhur në Institut. Personalisht asnjëri nga ne nuk e njihte.
Instituti i Lartë Pedagogjik (ILP) Shkodër atëherë përbëhej nga pesë degë: Gjuhë-Letërsi, Histori-Gjeografi, Matematikë-Fizikë, Biologji-Kimi dhe Cikli i Ulët. Kishte afat studimi 4-vjeçar dhe përgatiste mësues të destinuar kryesisht për kategorinë e shkollave 8-vjeçare. Si katedër ky veprim i studentëve na ngarkonte edhe ne me përgjegjësi të madhe për punë të pamjaftueshme edukative, për atë se nuk u kishim ndenjur afër studentëve, se kishim lejuar armikun të…se nuk ishim treguar vigjilentë, se kishim e ç’farë nuk kishim; se ishim e çfarë nuk ishim. Nuk kishte mbledhje, dhe këto ishin aq të shumta sa përbënin thelbin e vërtetë të jetës sonë “socialiste”, që të mos na thuhej se pedagogu ynë duhet të bëjë punë edukative me studentët e t’i paraprijë punës mësimore, se duhet t’u rrijë mbi kokë e t’i ndjekë ata hap pas hapi, të qajë hallet e t’ju marrë mendimet sepse armiku i klasës…obobo! Do të fillojnë nga mbledhjet dhe kush i dëgjon. – Hua!…,më doli një gufëm nga krahërori, megjithëse orët e mësimit më dhimbseshin. Jam ushqyer fort me parimin pedagogjik se ora e mësimit është e shenjtë, e paprekshme. Por diçka më e shenjtë se humbja e një ore mësimi, e disa orëve apo dhe e ditëve të tëra të mësimit po i trokiste Shqipërisë. Po trokiste ORA E MADHE E DEMOKRACISE.
Organizata e partisë e Institutit i din mirë detyrat e saj. Shpejt dhe me energji ajo mori në dorë situatën: u kthye në shtab lufte. Komunistët morën detyra të qarta e të prera: urgjentisht të nxirren studentët nga greva e urisë. U dërguan tek A-1 komunistë, aktivistë të rinisë, të organizatës profesionale, pedagogët kujdestarë etj. U ngritën në këmbë dhe u mobilizuan të gjitha levat e pushtetit e rripat e transmisionit, por grevistët nuk luajtën nga vendi. Orët e mësimit, më shumë pa bërë se bërë, nuk u muarën vesh atë ditë. Pedagogët u ngujuan nëpër katedra dhe e shtynë me llafe deri në orën një të mesditës, në gatishmëri e gjendje alarmi, siç ishte rregulli. Disiplina proletare në fuqi. Ç’vjen më pas?
Dita e parë iku dhe asnjë shenjë paqtimi e marrëveshjeje me grevistët e urisë. Kështu kaloi edhe e dyta. Nuk dëgjova nga ndonjë pedagog ndonjë shenjë apo fjalë solidarizimi me grevistët e urisë dhe me liderin e saj studentin Flamur Buçpapaj. Vetëm sharje dhe kritika “parimore” në adresë të tyre. Shumica, të heshturit e përjetshëm. Mua nuk më mbante vendi. Zbrita poshtë të shohë së ç’bëhej andej nga greva. Si do të jetë kjo punë. Ishte hera e parë. Nga dritaret që binin mbi oborrin midis dy godinave pashë disa nga studentët grevistë që zgjasnin kokat. Nuk e dija arsyen, por, thuhej se nuk lejonin kënd që të hynte brenda në auditor. Ishte një rregull që mbase e kishin vënë vetë studentët grevistë! Kalova në kthinat e korridorit të godinës së vjetër (shkencave të natyrës), hapa derën e auditorit 1 dhe me pak droje futa vetëm gjysmën e trupit se mos prishja rregullin. Grevistët, djem dhe vajza kishin lidhur kokën me shami si ato fidainjtë, shenjë vendosmërie për mbrojtjen e kërkesave të tyre deri në flijim. Rrinin shkujdesur, si të mundnin. Përshëndeta me kokë duke hedhur vështrimin nga studentët e degës sime, kërkova me sy pedagogun por s’e dallova dot për shkak të moshës së tij të afërt me atë të studentëve. M’u përshkua dilema “hamletiane”: të futem edhe unë në grevën e urisë? Isha i gatshëm që sakrificën ta merrja në sy. Edhe guximi politik nuk më mungonte. Por mendoja se në moshën time nuk ishte aq e hijshme e serioze të futem në grevë urie. Të gjithë ishin fare të rinj e sikur bëja kontrast me ta. Një mëndje më tha se duhet të jetë si ora e mësimit, se ata që kanë hyrë në grevë tashmë duhet të jenë regjistruar qysh më parë e të vonuarit mbase nuk pranohen. Kush e din se si janë rregullat e kësaj pune. Ishte hera e parë. Nuk kishim pare ndonjë herë grevë urie Askush nga salla nuk më tha ndonjë fjalë, për të mos thënë, “nuk ma varën”. Gjithmonë kam qenë nën pushtetin e “institucioneve”. E thënë ndryshe, mbase edhe mungesë inisiative. Edhe për kërkesat e grevës apo për ndonjë program të grevistëve nuk isha në dijeni. Paska filluar “ora e mësimit”, thashë me vete. Bëra një lëvizje të kokës në shenjë përshëndetje e miratimi dhe mbylla derën. Lërë rininë në punën e saj; le ta shtyjë apo ta tërheqë ajo qerren e revolucionit; le ta mbajë ajo lart flakën e Prometheut, mendova paksa në mënyrë poetike. Do të kishte plot raste të tjera për t’u bashkuar në veprimtarinë politike e për të dhënë kontributin tim. Revolucioni është i gjatë. Tani duhet thënë revolucioni marshon.
O, tempora! O, mores! (o kohë, o zakone)
As ditën e dytë të grevës nuk kishte ardhur kush të bisedojë për kërkesat e studentëve. Ishin kërkesa kryesore politike, por edhe ekonomike për jetën e tyre në konvikt, për mencën, ushqimin, kushtet e jetesës, por edhe për padrejtësitë, hatërllëqet, anësirat, etj., etj. Për kërkesat e tyre studentët kishin kërkuar të bisedonin vetëm me sekretarin e parë të partisë së rrethit. Edhe në Tiranë studentët ishin takuar me Ramiz Alinë, sekretarin e Parë të KQ të PPSH. Ditën e tretë sekretari i parë i rrethit dhe anetari i Byrose Politike te KQ te PPSH-se, kishte pranuar të takohet me studentët, por me kusht që ata të shkonin në zyrën e tij, në komitetin e partisë, për të “qarë hallet”, gjë që Flamur Bucpapaj dhe shtabi itij studentor nuk e kishin pranuar. Me këtë akt lëvizja studentore në Shkodër hodhi dorashkën. Kjo ishte sfidë. Greva e urisë vazhdonte. Gjendja po bëhej gjithnjë e më e nderë dhe mund të shkonte drejt përkeqësimit. Gjë e pangjarë ndonjëherë, e jashtzakonshme, e frikshme për shumëkend. Partia nuk i kishte më gjërat në dorë si dikur, kur shpata e priste me një të rënë. Ishte protesta e dytë studentore pas asaj të Universitetit të Tiranës. Institutit të Shkodrës i takonte ky nder. Jo vetëm për emrin që kishte Shkodra, por edhe si moshë ILP ishte më i vjetri në Shqipëri, versnik i UT – hapur më 1957. Studentët ja zbardhën faqen Institutit të Shkodrës. Trupën mësimore organizata e partisë e kishte në grusht.

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top