Zëri i Amerikës: Hetimet për Arben Ahmetajn kanë përfshirë dhe ish-zyrtarë të tjerë

Në Shqipëri Prokuroria e Posaçme ka ngritur një tjetër akuzë për “Shpërdorim detyre”, ndaj ish- zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, për një tjetër çështje që lidhet me privatizimin e ish-Fabrikës së bukës në Tiranë. Zoti Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, dyshohet të ketë firmosur, në shkelje të ligjit, shitjen si pronë shtetërore të fabrikës, ndërkohë që të gjitha shkallët e gjyqësorit, i kishin njohur të drejtën e pronësisë, një familjeje kryeqytetase. Në atë kohë, zoti Ahmetaj ishte ministër i Financave, post të cilin e mbante që prej shkurtit të vitit 2016.

Sipas Prokurorisë, dëmi i shkaktuar përllogaritet në miliona euro. Në truallin e ish fabrikës, u ndërtua më pas një kompleks pallatesh. Mbi këtë rast, hetimet kanë përfshirë dhe ish-zyrtarë të tjerë të kohës në ministrinë e Financave.

Pak ditë më parë, burime nga Prokuroria e Posaçme kishin paralajmëruar se hetimet ndaj ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj kishin regjistruar “zhvillime surprizuese”, duke shtuar se bëhet fjalë për “fakte dhe prova të reja penale”.

Që prej korrikut të këtij viti, ndaj ish-zëvendës kryeministrit ka një urdhër arresti ndërkombëtar. Ai u largua nga vendi në të njëjtën ditë që Prokuroria e Posaçme iu drejtua parlamentit për të marrë autorizimin për arrestimin e tij. Emri i zotit Ahmetaj, u shfaq gjatë hetimeve për inceneratorët.

Ai dyshohet për të paktën tre vepra penale nga korrupsioni pasiv te fshehja apo mos deklarimi i pasurisë, të pastrimi i parave. Prokurorët kanë deklaruar të kenë zbuluar lidhje të ngushta mes tij dhe dy sipërmarrësve që fituan kontratat koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve, të cilat po ashtu sipas tyre, qëndronin pas disa transaksioneve financiare të kryera nga zoti Ahmetaj. Nën sekuestro janë vënë disa pasuri të patundshme të tij si dhe llogari bankare.

Zoti Ahmetaj, ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij, duke pretenduar se ai nuk ka qenë asnjëherë i përfshirë në procedurat të cilat i dhanë jetë projektit të inceneratorëve. Ai e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të kthehet në vend, “përpara se e vërteta të marrë rrugë e dritë”./VOA/

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top