Nuk është e vërtetë që Lukaku është zhdukur. Mjafton të hapësh profilin e tij në Instagram për të parë se ku është, çfarë bën, me kë luan, si stërvitet. Por është e vërtetë se po i shmanget kontakteve të Inter. Të paktën tani për tani. Ai nuk i përgjigjet telefonatave, kërkon kohë sepse i është kërkuar nga rivali më historik i zikaltërve: Juventus. Në fakt, drejtori i ri i Juventus, Cristiano Giuntoli, i kërkoi belgut një javë kohë dhe Big Rom duket se e ka pranuar.
Ai dhe avokati i tij, Sebastian Ledure, janë zhdukur përballë thirrjeve të Inter që ndërkohë ka arritur një marrëveshje edhe me Chelsea. Bëhet fjalë për një operacion 40 milionë në total, 35 plus 5 bonuse. Kjo shumë barazon ofertën e bërë edhe nga bardhezinjtë për Blues. Problemi i zikaltërve është se tani nuk e kanë më në dorë pëlqimin e lojtarit. Me pak fjalë, ajo që dukej e qartë deri dje, nuk është më sot. Tani nuk është më e sigurt që Lukaku dëshiron Inter! Përkundrazi. Por si dhe pse ndodhi kjo është e vështirë të kuptohet, sepse jo gjithcka mund të shpjegohet me paqëndrueshmërinë e tij dhe lakminë e menaxherit. Por nëse vërtet përfundon me këtë përmbysje të bujshme, Lukaku nuk do të jetë i vetmi që do të duhet të japë shpjegime.
PROBLEMI I JUVENTUS
Megjithatë, nëse nuk do të ishte kështu – ose nëse zhurma e orëve të fundit do të ishin thjesht thashetheme – në këtë pikë i takon belgut Lukaku të ndërhyjë dhe të sqarojë. Me shpejtësi madje, sepse një botë e tërë, ajo zikaltër, ndihet edhe një herë e tradhtuar. E sigurt është se situata është në ngërç, edhe për shkak se Juventus duhet të shesë Vlahovic para se të fundosë goditjen. Një operacion as i lehtë dhe as i menjëhershëm. A do të mjaftojnë shtatë/dhjetë ditët e kërkuara nga Giuntoli? Bardhezinjtë kanë nevojë për një asist nga PSG në këtë pikë, në një kryqëzim të nxehtë ndërkombëtar. Por asnjëherë aq sa klima në shtëpinë interiste.